Kosova ofron lehtësira të përkohshme për serbët, nis nga e diela zbatimi i Ligjit për të Huajt

Kryeministri Kurti bëri të ditur se procesi do të realizohet në koordinim me emisarin e BE-së dhe me komunat me shumicë serbe, të cilat do të dorëzojnë listat e stafit shëndetësor, akademik dhe studentëve që veprojnë në Kosovë.

14.03.2026. 13:39

Kosova ofron lehtësira të përkohshme për serbët, nis nga e diela zbatimi i Ligjit për të Huajt

Qeveria e Kosovës ka rënë dakord të ofrojë lehtësira të përkohshme për pjesëtarët e komunitetit serb që nuk posedojnë dokumente kosovare, në kuadër të zbatimit të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet, të cilat pritet të hyjnë plotësisht në fuqi nga e diela.

Marrëveshja u konfirmua pas një takimi në Prishtinë mes kryeministrit Albin Kurti dhe emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen.

Sipas dakordimit me Bashkimin Evropian, punëtorët serbë në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë, si dhe studentët që nuk kanë dokumente të Kosovës, do të mund të pajisen me leje të përkohshme qëndrimi me afat fillestar prej 12 muajsh. Gjithashtu, përkohësisht do të njihen si dokument identifikimi edhe letërnjoftimet e lëshuara nga strukturat paralele.

Pas takimit, Sorensen vlerësoi angazhimin e institucioneve të Kosovës për zbatimin e ligjit dhe për integrimin e komuniteteve në përputhje me marrëveshjet me BE-në.

“Prioritet kyç i Qeverisë është sigurimi i lejeve për punëtorë dhe studentë për periudhë fillestare 12 muaj, për të mos penguar ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe arsimore... qeveria duhet t’i regjistrojë individët në harmoni me ligjin e Kosovës”, tha ai.

Kryeministri Kurti bëri të ditur se procesi do të realizohet në koordinim me emisarin e BE-së dhe me komunat me shumicë serbe, të cilat do të dorëzojnë listat e stafit shëndetësor, akademik dhe studentëve që veprojnë në Kosovë.

“Qeveria do të pajiset nga krerët lokalë me lista të stafit shëndetësor dhe akademik që janë të angazhuar në ofrimin e këtyre shërbimeve. Lista do të shërbejnë si bazë për dhënien e lejeve të përkohshme të qëndrimit për qytetarët e huaj që aplikojnë në MPB”, tha Kurti.

Ai shtoi se edhe studentët do të përfitojnë nga kjo skemë, duke marrë leje qëndrimi 12-mujore me mundësi vazhdimi.

Ndërkohë, Qeveria do të hapë edhe një afat të ri tremujor për regjistrimin në Regjistrin Civil të Kosovës të fakteve civile që deri më 15 mars 2026 janë regjistruar nga strukturat paralele.

“Në këtë periudhë aplikantëve do t’u lejohet përdorimi, ekskluzivisht si mjet identifikimi, i ID kartës të lëshuar nga strukturat jolegale”, tha Kurti, duke shtuar se Ministria e Punëve të Brendshme do të nxjerrë udhëzime të detajuara për këtë proces.

Autoritetet në Prishtinë theksuan se qëllimi është zbatimi i ligjeve pa penguar funksionimin e shërbimeve bazë për komunitetin serb, ndërsa procesi synon regjistrimin e qytetarëve në sistemin ligjor të Kosovës.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)