Trafiku, por jo vetëm ai. Problemi kryesor në Tiranë është përdorimi i makinës në përgjithësi. Gjithçka bëhet edhe më e vështirë nga shkeljet e shumta të rregullave të qarkullimit, duke nisur nga parkimet dyshe, për të vijuar me shpejtësinë mbi normat e lejuara apo parakalimet e gabuara.
Këtë e konfirmojnë edhe statistikat. Vetëm gjatë javës që kaloi, Policia Rrugore në kryeqytet ka vendosur mbi 4.700 gjoba për kundravajtje të ndryshime. Mesatarisht bëhet fjalë për më tepër se 670 gjoba në ditë. Qëllimi është që me afrimin e festave, të parandalohen aksidentet dhe të përmbushen parametrat e sigurisë në rrugë. Gjithashtu, 32 persona janë arrestuar, teksa 53 automjete janë bllokuar.
NJOFTIMI I POLICISË RRUGORE TIRANË:
Si rezultat i pranisë shtesë dhe përdorimit të pajisjeve logjistike bashkëkohore, janë konstatuar shkelje rrugore të rrezikshme, për të cilat janë vënë masat administrative si më poshtë:
•Qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara – 1838 masa;
•Përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit – 1207 masa;
•Mosvendosje e rripit të sigurimit – 722 masa;
•Mosvendosje e kaskës mbrojtëse – 653 masa;
•Mosrespektim i radhës së qarkullimit – 250 masa;
•Parakalim i gabuar – 74 masa.
Më tej, për shkelje të rënda të Kodit Rrugor dhe për vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor:
•janë arrestuar/proceduar penalisht 32 shtetas;
•janë bllokuar 53 automjete.
Policia Rrugore apelon sërish, për të gjithë drejtuesit e mjeteve dhe përdoruesit e tjerë të rrugës, që të respektojnë rregullat e qarkullimit, si një kontribut i përbashkët dhe tejet i rëndësishëm për garantimin e sigurisë rrugore dhe për mbrojtjen e jetës.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)