Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar një aksion të gjerë kontrollesh në banesa, zyra dhe subjekte biznesi, në kuadër të hetimeve për dosjen “Balluku”. Me urdhër të prokurorëve të SPAK dhe me ekzekutim nga Byroja Kombëtare e Hetimit, janë kryer deri më tani 34 kontrolle, nga një total prej 54 kontrollesh të planifikuara.
Aksioni ka përfshirë kryesisht zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës, Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Me vendim të gjyqtarit Erjon Çela, në ditët në vijim pritet të kryhen edhe 20 kontrolle të tjera ndaj biznesmenëve dhe punonjësve të institucioneve publike.
Hetimet lidhen me dosjen ku zyrtarja më e lartë nën akuzë është zv/kryeministrja Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar nga Kuvendi heqjen e imunitetit dhe dhënien e autorizimit për masë sigurie. Kontrollet janë zhvilluar pothuajse tërësisht nga agjentët e BKH-së, ndërsa Policia e Shtetit nuk ka marrë pjesë në hyrjen në ambientet e brendshme dhe në mbledhjen e provave, për të garantuar integritetin e hetimit.
Më herët janë kontrolluar banesat e disa ish-zyrtarëve, mes tyre Sajmir Kuçi, ish-punonjës i ARRSH-së; Erald Elezi, ish-drejtor i KESH, aktualisht në masë “arrest shtëpie” për dosjen e tunelit të Llogarasë; Gentian Gjylit, ish-kreu i ARRSH-së, si dhe Marsel Hoxha, Jonida Çeço dhe Viola Haxhihademi, ish-sekretare e përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës dhe aktualisht drejtuese në KESH.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)