Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka ndërmarrë një plan të posaçëm masash për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë festimeve me rastin e ndërrimit të viteve.
Sipas njoftimit zyrtar, masat janë hartuar dhe po zbatohen në bazë të planit të posaçëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe shtrihen në të gjithë territorin e kryeqytetit, me fokus zonat me fluks të lartë qytetarësh.
Policia bën me dije se është rritur ndjeshëm prezenca e shërbimeve policore me uniformë dhe e Policisë Kriminale në zonat urbane, sheshe publike, pedonale, objekte kulti, ambiente argëtimi, bare, restorante, lokale nate dhe qendra tregtare, me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së festimeve.
Njëkohësisht, janë vendosur pika fikse kontrolli në hyrje-daljet e Tiranës dhe janë shtuar patrullimet e lëvizshme për parandalimin e veprimtarive të paligjshme dhe rritjen e sigurisë.
Në kuadër të masave, policia ka intensifikuar monitorimin e qarkullimit rrugor përmes kontrolleve të shtuara, përdorimit të mjeteve inteligjente dhe patrullimeve në akset kryesore urbane dhe interurbane, me synim parandalimin e aksidenteve rrugore gjatë ditëve të festave.
Po ashtu, po kryhen kontrolle të vazhdueshme ndaj subjekteve dhe individëve që posedojnë ose tregtojnë lëndë piroteknike, fishekzjarre dhe kapsolla, për të parandaluar rreziqet dhe ngjarjet aksidentale.
Policia e Tiranës thekson se shërbimet do të jenë në gatishmëri të plotë për të ndërhyrë menjëherë në çdo rast nevoje, ndërsa u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo paligjshmëri pranë patrullave fizike, njësive të Policisë apo në numrat pa pagesë 129 dhe 112.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë shprehet e angazhuar maksimalisht për të garantuar një ambient të sigurt për qytetarët gjatë gjithë ditëve të festimeve me rastin e ndërrimit të viteve.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)