Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me rektorët e universiteteve publike dhe private, në kuadër të reformave që lidhen me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në fokus të diskutimit ishte nevoja për rishikimin e ligjit për arsimin e lartë, si dhe forcimi i rolit të universiteteve në këtë proces.
“Është koha për të rivizituar ligjin e arsimit të lartë. Nuk bëhet fjalë për përmbysje, por për korrektime të diktuara nga praktika dhe ndryshimet e kohës”, u shpreh Rama. Sipas tij, procesi do të realizohet në bashkëpunim me rektorët përmes grupeve të përbashkëta të punës.
Kryeministri e vuri theksin te ndërkombëtarizimi i universiteteve dhe ndryshimi i qasjes ndaj financimit. Progres i evidentuar ishte ai i Universitetit të Tiranës, në sigurimin e fondeve jashtë buxhetit të shtetit. “Sfida jonë është ndërkombëtarizimi i universiteteve dhe racionalizimi i burimeve. Universiteti i Tiranës është në krye për sa i përket financimeve nga jashtë”, tha Rama.
Ai shtoi se volumi i projekteve të miratuara nga Bashkimi Europian për Universitetin e Tiranës është rritur çdo vit, duke e cilësuar universitetin si “aleatin më të rëndësishëm të vendit në procesin e integrimit”.
Rama njoftoi gjithashtu investime në infrastrukturën universitare. Objektivi është ndërtimi i dy kampuseve të reja në Tiranë dhe Durrës, të cilat synojnë të lehtësojnë edhe kostot për studentët, duke shfrytëzuar lidhjen ndërmjet dy qyteteve me anë të hekurudhës.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)