SPAK refuzon komisionin “Xhafaj”: Vizita juaj cenon pavarësinë e institucionit

SPAK refuzoi kërkesën e komisionit parlamentar të drejtuar nga Fatmir Xhafaj për një vizitë monitoruese, duke e cilësuar atë si ndërhyrje që cenon pavarësinë kushtetuese të institucionit.

30.01.2026. 22:15

SPAK refuzon komisionin “Xhafaj”: Vizita juaj cenon pavarësinë e institucionit

Prokuroria e Posaçme ka refuzuar kërkesën e komisionit parlamentar të drejtuar nga Fatmir Xhafaj, i njohur si komisioni “Nisma qytetare”, për të zhvilluar një vizitë monitoruese mbi punën e saj kundër pastrimit të parave.

Vizita ishte planifikuar për më 6 shkurt 2026 dhe kërkesa u dorëzua në ditën kur Klodian Braho mori detyrën e kryeprokurorit të SPAK. Komisioni e justifikoi nismën me nevojën për informim mbi luftën kundër pastrimit të parave, bazuar edhe në një shkresë të Agjencisë së Inteligjencës Financiare.

Në përgjigjen zyrtare, SPAK e cilëson kërkesën si të paligjshme dhe ndërhyrje në pavarësinë e saj kushtetuese. Sipas institucionit, komisionet parlamentare nuk kanë të drejtë të kryejnë vizita monitoruese në SPAK, pasi kjo do të rrezikonte hetime të pavarura dhe të paanshme.

Megjithatë, SPAK thekson se mbetet i hapur për bashkëpunim institucional dhe se mund të informojë Kuvendin për punën e tij, por jo të jetë objekt kontrolli.

Prokuroria kujton gjithashtu se ka raportuar më parë për masat kundër pastrimit të parave në kuadër të vlerësimeve ndërkombëtare nga Moneyval.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)