Gjykata e Posaçme e Apelit lë në fuqi masat për dosjen “AKSHI”

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj si edhe zv.drejtoresha, Hava Delibashi do të vijojnë të qëndrojnë në arrest shtëpie.

05.02.2026. 16:33

Gjykata e Posaçme e Apelit lë në fuqi masat për dosjen “AKSHI”

Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur të lërë në fuqi masat e sigurimit për të pandehurit në dosjen “AKSHI”. Si pasojë, drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj si edhe zv.drejtoresha, Hava Delibashi do të vijojnë të qëndrojnë në arrest shtëpie.

Dy zyrtaret kishin kërkuar ndryshimin dhe zbutjen e masave të sigurimit, por SPAK paraqiti para gjykatës akte dhe prova të reja, çka bëri që gjyqtari Florjan Kalaja të vendosë rrëzimin e kërkesave të tyre. Në fuqi kanë mbetur masat e sigurimit edhe për biznesmenët e përfshirë në këtë çështje, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, të cilët janë në kërkim.

Ata dyshohet se kanë falsifikuar dhe lëshuar fatura fiktive, me qëllim fshehjen e shifrave monetare të përfituara. Gjithashtu, për ish-zv.drejtorin e Policisë së Tiranës, Erion Ismaili dhe për të dyshuarit e tjerë mbeten në fuqi edhe masa e detyrimit për paraqitje dhe ndalim për të dalë jashtë vendit.

Në hetim nga SPAK dyshohet se janë 12 procedura tenderuese të paracaktuara nga drejtoresha e AKSHI në favor të dy subjekteve private. Gjithashtu, sipas Prokurorisë së Posaçme disa nga personat e akuzuar janë cilësuar grup criminal, që rrëmbente biznesmenë dhe i kërcënonin të tërhiqeshin nga tenderat.

Komunikim për median:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtar Florjan Kalaja, sot më datë 05.02.2026, disponoi për çështjen penale nr. 4 akti, datë 27.01.2026 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesve M.K, H.D, E.I, R.Rr, A.P, G.H:

- Ankim kundër vendimit nr. 125, datë 15.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Caktim mase sigurimi personal. - Ankim kundër vendimit nr. 131, datë 18.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt:

Verifikimin e kushteve dhe kritereve të caktimit të masës së sigurimit personale shtrënguese për personat nën hetim M.K, H.D, E.I, R.Rr, A.P, G.H”, duke miratuar vendimin nr. 125, datë 15.12.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, sa i takon disponimeve kundrejt znj. H.D, z. E.I., z. G.H, znj. M.K, z. A.P dhe z. R.Rr dhe vendimin nr. 131, datë 18.12.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Gjithashtu, disponoi për ndalimin e publikimit apo dekonspirimit të këtij vendimi deri në mbylljen e hetimeve paraprake, në zbatim të nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)