Rajoni i Juglindjes pas 11 ditësh në izolim është tashmë i aksesueshëm duke nisur nga mesdita e kësaj të marte. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka finalizuar punimet për rrugën devijuese, që bashkon aksin Librazhd-Pogradec, të ndarë në dy pjesë për shkak të rrëshqitjes së dherave në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ARRSH ka publikuar edhe imazhe nga rruga e re që është një devijim provizor, deri në ndërtimin e aksit të ri, 1.3 km të gjatë, gjurma e të cilit do të shtrihet përkrah hekurudhës, përgjatë shtratit të lumit Shkumbin.
ARRSH bën me dije se segmenti do të funksionojë me sinjalistikë kantieri dhe, përkohësisht, do të jetë i paasfaltuar deri në stabilizimin e shtresave, pas së cilës do të kryhet asfaltimi përfundimtar.
“Sot, datë 03.03.2026, ora 12:00, rikthehet qarkullimi për të gjitha mjetet në aksin Librazhd–Prrenjas, i cili ishte i bllokuar si pasojë e rrëshqitjes në zonën “Arrat e Gurrës”. Qarkullimi do të kryhet përmes një devijimi provizor, të ndërtuar ngjitur me pozicionin ekzistues të mëparshëm, deri në realizimin e plotë të rrugës alternative, tashmë të bërë publike, në shtratin e lumit Shkumbin dhe të integruar me trupin e hekurudhës. Duke kërkuar mirëkuptim nga të gjithë përdoruesit e rrugës si dhe banorëve të zonës, u bëjmë thirrje të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore, për të garantuar një qarkullim të sigurt për të gjithë”, informon ARRSH.
Sipas ARRSH-së në këtë rrugë do të mund të kalojnë të gjitha llojet e mjeteve, nga veturat tek mjetet e transportit ndërqytetas dhe ato të tonazhit të rëndë.
Sa i përket rrugës alternative, projekti i së cilës u prezantua ditën e djeshme, do të lidhë Dragostunjën me Hotolishtin, duke shmangur plotësisht pjesën e dëmtuar të rrugës aktuale dhe zonën me rrezik të lartë rrëshqitjeje.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)