Dy shqiptarë fitojnë në zgjedhjet lokale në Britani

Dy kandidatët shqiptarë, Eralda Qirjo dhe Arben Neza, kanë fituar mandatet e tyre në zgjedhjet lokale të 7 majit 2026 për Këshillin Bashkiak të Enfield-it, në Londër.

Burimi: Diaspora Shqiptare

10.05.2026. 22:28

Dy shqiptarë fitojnë në zgjedhjet lokale në Britani

Dy kandidatët shqiptarë, Eralda Qirjo dhe Arben Neza, kanë fituar mandatet e tyre në zgjedhjet lokale të 7 majit 2026 për Këshillin Bashkiak të Enfield-it, në Londër.

Të dy kandiduan nën siglën e Partisë Konservatore, duke përfaqësuar zona të ndryshme të bashkisë së Enfield-it dhe duke e fokusuar fushatën në çështje konkrete lokale si siguria, shërbimet publike, menaxhimi i fondeve, mbrojtja e hapësirave të gjelbra dhe përfshirja më e madhe qytetare.

Eralda Qirjo, me origjinë nga Vlora, e ndërtoi kandidimin e saj mbi temat e integrimit, përgjegjësisë dhe përfaqësimit aktiv të emigrantëve në institucionet britanike. Gjatë fushatës ajo theksoi nevojën për mbrojtjen e Green Belt, përmirësimin e infrastrukturës lokale dhe transparencën në përdorimin e fondeve publike.

“Integrimi si çelës i suksesit” ka qenë filozofia që prindërit i kanë përcjellë që herët, dhe që Eralda Qirjo e ka mbartur me vete në çdo etapë të jetës së saj, nga rrënjët shqiptare në Vlorë, te rritja dhe formimi në Itali, përvoja akademike në SHBA dhe sot angazhimi në Londër. 

Arben Neza, në kandidimin e tij të dytë, u përqendrua te përmirësimi i shërbimeve për komunitetin, bashkëpunimi ndërkomunitar dhe rritja e përfaqësimit të diasporës në jetën publike britanike.

Me një histori personale emigracioni, integrimi dhe angazhimi publik, Arben Neza përfaqëson një brez të ri shqiptarësh që synojnë të sfidojnë stereotipet, të ndryshojnë perceptimet e padrejta dhe të dëshmojnë se shqiptarët në Britani janë pjesë aktive e zhvillimit politik, social dhe ekonomik të vendit. Për të integrimi nuk matet vetëm përmes historive të jashtëzakonshme të suksesit, por edhe përmes kontributit të përditshëm të njerëzve të zakonshëm — familjeve, profesionistëve, punëtorëve dhe qytetarëve që ndërtojnë çdo ditë jetën e tyre me ndershmëri dhe përkushtim. Ai beson se narrativa e shqiptarëve në Britani duhet të pasqyrojë jo vetëm arritjet elitare, por edhe realitetin më të gjerë të një komuniteti që kontribuon në mënyra të shumta në shoqërinë britanike.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)