Fondet e IPARD zhbllokohen në qershor, Salla: 10 mijë euro grant çdo të riu që investon në blegtori

Fondet e IPARD për Shqipërinë, të bllokuara nga BE, pritet të hapen në 6 mujorin e dytë të vitit sipas ministrit të Bujqësisë, Andis Salla.

18.02.2026. 12:04

Fondet e IPARD zhbllokohen në qershor, Salla: 10 mijë euro grant çdo të riu që investon në blegtori

Në 6 mujorin e dytë të këtij viti pritet të zhbllokohen fondet IPARD të Bashkimit Europian për fermerët shqiptarë, duke i hapur rrugën aplikimeve nga muaji qershor. Këtë e bëri të ditur ministri i Bujqësisë Andis Salla në një konferencë për mediat, duke zbuluar po ashtu se më 9 mars qeveria shqiptare do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Bruksel.

Ministri e vendosi theksin tek rëndësia e formalizimit të fermerëve dhe përfshirjes së tyre në skemat mbështetëse, ndërsa sa i takon sigurisë ushqimore, njoftoi ngritjen e gjashtë laboratorëve të rinj, me synim forcimin e kontrollit dhe standardeve.

“Duhet të bëjmë një formalizim akoma më të madh të fermerëve tanë, duke i orientuar të aplikojnë në këtë proces të rëndësishëm, por edhe atë çfarë ne presim në mbështetjen nga BE, siç është IPARD-i që ne e kemi në 6 mujorin tjetër për të aplikuar, dhe për të pasur mundësi të gjithë fermerët të jenë pjesë e kësaj pakete që do të jetë shumë e rëndësishme”, u shpreh Salla.

Ai shtoi se mbështetja synon rritjen e kapaciteteve në sektor, përmirësimin e sigurisë ushqimore, orientimin drejt tregut dhe ofrimin e informacionit të nevojshëm për fermerët.

Ministri i Bujqësisë sqaroi se janë zhvilluar 23 takime në të gjithë vendin për të diskutuar problematikat e skemës së bujqësisë dhe hartimin e një formule të re mbështetëse. Sipas Sallës në ndihmë të sektorit do të jetë edhe skema kombëtare prej 5.2 miliardë lekësh, që do të ketë dy komponentë kryesorë, pagesa direkte për fermerët dhe investime në bujqësi e blegtori.

“Kemi diskutuar për të vendosur për të rinjtë dhe të rejat nga 18 vjeç deri në 35 vjeç, mundësinë që ne t'i japim nga 7 deri në 10 mijë euro. Po e shikojmë me financat për të përllogaritur çdo të ri dhe të re që hap një biznes, kryesisht në blegtori, të jetë pjesë e mbështetjes tonë”, deklaroi ai.

Sakaq, kujtojmë se fondet IPARD u pezulluan në korrik 2023, pasi OLAF, zyra kundër korrupsionit pranë Komisionit Europian, konstatoi shkelje në procedurat e shpërndarjes së fondeve duke shtyrë edhe SPAK-un që të nis një hetim për rastin.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)