Çmimi i naftës rritet për shkak të luftës në Lindjen e Mesme, Konkurrenca nis monitorimin

Autoriteti i Konkurrencës bën të ditur se ka nisur monitorimin e tregut të karburanteve, me shumicë dhe pakicë, duke u fokusuar tek çmimi.

04.03.2026. 15:16

Çmimi i naftës rritet për shkak të luftës në Lindjen e Mesme, Konkurrenca nis monitorimin

Lufta në Lindjen e Mesme ka nisur të japë valën e parë të goditjes për ekonomitë në Europë, përfshirë edhe vendin tonë, ku rritjen e parë e ka pësuar çmimi i karburantit.

Në pompat e naftës dhe benzinës në kryeqytet nga survejimi i ditës së sotme vërehet një rritje me 4 deri në 6 lekë për litër në çmimin e naftës. Vetëm 5 ditë luftë mes Iranit dhe SHBA-ve kanë bërë që nafta të tregtohet me çmim deri në 177 - 179 lekë litri, duke reflektuar një shtrenjtim të dukshëm brenda 24 orëve, pasi çmimi më parë varionte nga nga 173-175 lekë/ litri.

Për shkak të reflektimit të luftës në tabelat e çmimeve të pikave të karburantit,  Autoriteti i Konkurrencës bën të ditur se ka nisur monitorimin e tregut me shumicë dhe pakicë, duke u fokusuar tek çmimi.

"Si rrjedhojë, sipas standardeve të konkurrencës së ndershme, pritet që luhatjet e çmimeve në tregun vendas të ndjekin të njëjtin drejtim dhe të jenë proporcionale me masën e ndryshimeve që regjistrohen në bursë. Çdo devijim i pajustifikuar, qoftë edhe rritje e pakoordinuar por më e shpejtë apo më e theksuar se ecuria e çmimeve ndërkombëtare, përbën tregues të mundshëm të sjelljeve jo konkurruese në treg.

Autoriteti i Konkurrencës thekson se nuk do të tolerojë luhatje të pajustifikuara të çmimeve, praktika që bien ndesh me logjikën e tregut ndërkombëtar, si dhe asnjë formë të mundshme koordinimi të çmimeve, abuzimi me pozitën dominuese apo praktikash të bashkërenduara mes operatorëve të tregut", thuhet në njoftimin e AK.

Çmimet e karburanteve në tregjet ndërkombëtare përditësohen në mënyrë të vazhdueshme, duke reflektuar faktorë si oferta, kërkesa, kostot e përpunimit, si dhe zhvillime të tjera ekonomike apo gjeopolitike.

Shqipëria është vend importues i naftës dhe vitin e kaluar vendi ynë konsumi 761 mijë tonë karburant të importuar, nga 683 mijë tonë në vitin 2024.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)