Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur një tjetër çështje të hetuar nga SPAK që lidhet me ushtrimin e ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë. Pas përfundimit të procedurës së shkurtuar, trupa gjykuese ka shpallur fajtorë tre të pandehur, duke caktuar dënime me burg që do të llogariten nga momenti i arrestimit të tyre në korrik të vitit 2025.
Sipas vendimit të dhënë më 5 shkurt 2026, Musa Gjikola u shpall fajtor për një episod të veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Ai u dënua fillimisht me 1 vit e 6 muaj burgim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuajë 1 vit burg.
Erjon Dani u gjet fajtor për dy episode të së njëjtës vepër penale dhe u dënua me nga 2 vite burg për secilin rast. Pas bashkimit të dënimeve dhe uljes me 1/3, dënimi përfundimtar për të është 2 vite burg. Ndërkohë, Gjykata e shpalli atë të pafajshëm për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.
Edhe Vilson Roçi u shpall fajtor për dy episode të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm, duke u dënuar përfundimisht me 1 vit burg.
Gjykata vendosi që shpenzimet procedurale dhe gjyqësore të përballohen solidarisht nga të pandehurit fajtorë. Vendimi mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar brenda 15 ditëve.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)