Disa të mitur mes 21 të arrestuarve nga incidentet në protestë, nis hetimi për 5 anëtarë të lartë të PD-së

16 policë u plagosën dhe përfunduan në spital, u sekuestruan 22 molotovë të pashpërthyer dhe 3 shishe me benzinë.

11.02.2026. 09:19

Disa të mitur mes 21 të arrestuarve nga incidentet në protestë, nis hetimi për 5 anëtarë të lartë të PD-së

Pas incidenteve të dhunshme që u regjistruan sërish në protestën e opozitës, fillimisht përpara Kryeministrisë dhe më pas në godinën e Kuvendit, Policia e Tiranës njoftoi arrestimin e 21 personave, ku mes tyre janë edhe katër të mitur, të moshës 17-vjeçare.

Ata akuzohen për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës”, “Plagosja e rëndë me dashje”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë njoftoi gjithashtu se ka nisur procedimi në gjendje të lirë edhe për pesë anëtarë të Partisë Demokratike. Mes tyre janë sekretari organizativ Ervin Minarolli, si edhe katër deputetët Flamur Noka, Luçiano Boçi, Klevis Balliu dhe Belind Këlliçi.

Sipas forcave të rendit, protestuesit “gjatë gjithë kohës së zhvillimit të tubimit, kanë hedhur lëndë djegëse, mjete piroteknike dhe sende të forta në drejtim të punonjësve të Policisë dhe godinave të institucioneve publike”.  Si pasojë e këtyre veprimeve janë plagosur 16 punonjës policie, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 22 molotovë të pashpërthyer dhe 3 shishe me lëndë të dyshuar djegëse benzinë, të cilat janë gjetur nga shërbimet e Policisë në afërsi të Kuvendit. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)