Detaje të reja kanë dalë nga dëshmia e Laureta Buçpapaj, bashkëshortja e Gazment Buçpapajt, i cili është shpallur në kërkim si i dyshuar për vrasjen e Elgi Pashollarit me thikë katër ditë më parë në Tiranë.
Në deklarimin e saj para uniformave blu, ajo ka rrëfyer se më 20 shkurt, rreth orës 15:05, pasi kishte përfunduar orarin e punës, është larguar me automjetin tip “Audi” që drejtohej nga bashkëshorti i saj. Gjatë lëvizjes në rrugën “Ylbere Bylykbashi” dhe më pas në rrugën “Kongresi i Lushnjës”, sipas saj, është krijuar një situatë tensioni me një automjet ngjyrë gri që u kishte bllokuar rrugën.
Ajo ka deklaruar se bashkëshorti i saj i kishte rënë borisë për të sinjalizuar drejtuesin e mjetit tjetër, ndërsa pretendon se nga ana e tyre ishin ofenduar me fjalë të rënda. Megjithatë, çifti kishte vijuar lëvizjen. Sipas dëshmisë, pak më tej e njëjta makinë po lëvizte sërish para tyre me shpejtësi të ulët, derisa ndaloi.
Nga automjeti gri kishte zbritur një i ri rreth 30 vjeç, i shoqëruar nga dy persona të tjerë, të cilët ishin afruar drejt makinës së tyre. Në këto momente, ka dalë edhe Gazment Buçpapaj dhe mes palëve ka nisur një përplasje fizike me grushte. Laureta Buçpapaj ka pohuar se ka ndërhyrë duke shtyrë drejtuesin e mjetit dhe një prej personave që e shoqëronte.
Ajo ka shtuar se pas disa çastesh ka vënë re se i riu ishte gjakosur. Sipas saj, bashkëshorti e ka kapur nga krahu dhe janë larguar menjëherë me automjet. Kamerat e sigurisë kanë fiksuar se rreth 50 metra më tej ata kanë braktisur mjetin dhe janë larguar në këmbë drejt Rrugës së Kavajës, ku më pas kanë marrë një taksi për në banesën e tyre në zonën e Sharrës.
Në dëshmi, ajo ka theksuar se bashkëshorti ndërroi rrobat dhe u largua në këmbë, pa marrë telefonin me vete, ndërsa prej atij momenti nuk ka më dijeni për vendndodhjen e tij. Laureta Buçpapaj ka deklaruar se nuk e ka parë momentin e goditjes fatale, por dyshon se ai mund ta ketë goditur viktimën me një thikë që e mbante në automjet. Ndërkohë, Gazment Buçpapaj vijon të jetë në kërkim nga policia.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)