I riu në arrest shtëpie përplaset me policinë e Golemit, përfshihen dhe familjarë, raportohen të shtëna

Një incident është regjistruar në Golem, ku policia ka qëlluar me armë në ajër, teksa është përplasur me një të ri që kishte thyer masën e sigurisë.

25.02.2026. 21:41

I riu në arrest shtëpie përplaset me policinë e Golemit, përfshihen dhe familjarë, raportohen të shtëna

Një incident është regjistruar mbrëmjen e sotme në zonën e Golemit, ku një 38-vjeçar që ndodhej me masë sigurie “arrest në shtëpi” është kapur nga policia duke lëvizur lirshëm dhe më pas është përfshirë në përplasje me efektivët.

Sipas burimeve, patrulla e Policisë së Golemit ka konstatuar në rrugë shtetasin me iniciale A. B., i cili ishte i shoqëruar nga disa persona të tjerë. Ai rezultonte me masë sigurie “arrest në shtëpi” për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Efektivët e kanë ndaluar për verifikim dhe i kanë kërkuar shpjegime për shkeljen e masës së sigurisë, duke e njoftuar se do të shoqërohej në Komisariatin e Policisë për veprime të mëtejshme. Në këtë moment, situata është tensionuar.

38-vjeçari, së bashku me kunatin e tij, 23 vjeç, kanë kundërshtuar me forcë ndërhyrjen e policisë. Sipas të dhënave paraprake, në kundërshtim janë përfshirë edhe persona të tjerë, të afërm të tyre, duke e bërë situatën më të vështirë për efektivët në terren.

Për të shpërndarë turmën dhe për të neutralizuar përplasjen, një punonjës policie ka qëlluar një herë në ajër me armën e shërbimit. Pas mbërritjes së përforcimeve, personat e përfshirë janë shoqëruar në ambientet e komisariatit.

Në polici është dërguar edhe 38-vjeçari, për shkeljen e masës së sigurisë, ndërsa ndaj personave të tjerë pritet të merren masa për kundërshtim të punonjësve të policisë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)