Integrimi në BE: Negociatat u hapën, koha për të rritur standardet

Raporti i Komisionit Europian 2025 për Shqipërinë e vendos qartësisht fokusin në tri fusha që do të lidhen me fatin e negociatave. Demokracinë funksionale, reformën në drejtësi dhe efektivitetin real të luftës kundër korrupsionit. Shqipëria ka bërë hapa para, por besueshmëria mbetet e brishtë.

01.12.2025. 11:29

Integrimi në BE: Negociatat u hapën, koha për të rritur standardet

Në vitin 2018, Kryeministri Edi Rama dekoronte ambasadorët e BE-së për kontributin në rekomandimin historik për hapjen e negociatave të Shqipërisë. Në atë ceremoni, shpresa ishte se kapitulli i parë i negociatave do të hapej shpejt, por realiteti e vonoi plot gjashtë vite.

Sot, ironikisht, Shqipëria jo vetëm që i ka hapur të gjithë kapitujt brenda një viti, por është bërë rasti unik në historinë e Bashkimit Europian për ritmin e shpejtë të negociatave. Kryeministri ka vendosur një objektiv ambicioz. Mbylljen e tyre deri në fund të vitit 2027, një objektiv politik, por jo domosdoshmërisht institucional.

Ky përshpejtim i papritur nuk shihet si triumf i standardeve, por si lëvizje e qartë gjeopolitike e Brukselit. Lufta në Ukrainë, frika nga ndikimi rus në Ballkan dhe nevoja për të siguruar kufijtë lindorë të Europës, duket se kanë ngritur barrierat e standardeve, duke i kthyer ato më shumë në ‘formalitet’ sesa në kusht thelbësor. Shqipëria po kalon mes përmes postblloqeve të integrimit, shpesh pa kontroll real të cilësisë, duke kaluar një momëntum të favorshëm në rrugën e saj të integrimit.

Megjithatë sot, integrimi nuk matet më me numrin e kapitujve të hapur apo me deklarata entuziaste nga Brukseli. Pyetja është një tjetër: A është Shqipëria një vend i besueshëm europian, me institucione që qëndrojnë mbi politikën?

Raporti i Komisionit Europian 2025 për Shqipërinë e vendos qartësisht fokusin në tri fusha që do të lidhen me fatin e negociatave. Demokracinë funksionale, reformën në drejtësi dhe efektivitetin real të luftës kundër korrupsionit. Shqipëria ka bërë hapa përpara, por besueshmëria për to mbetet e brishtë.

Demokracia nën lupë: Zgjedhje të lira, por jo të barabarta

Raporti ODIHR I vlerëson se zgjedhjet parlamentare të majit 2025 u administruan në mënyrë profesionale, por nuk plotësuan standardet e plota demokratike për shkak të keqpërdorimit të burimeve publike, patronazhimit politik, mungesës së transparencës financiare dhe pabarazisë së konkurrencës midis partive. Vëzhguesit ndërkombëtarë të OSCE/ODIHR evidentuan se administrata publike, institucionet dhe media nuk garantuan një fushë loje të barabartë. 

Për Drejtorin Ekzekutiv të Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, Arjan Dyrmishin, cilësia e zgjedhjeve lokale të 2027 dhe parlamentare të 2029 do të dëshmojë nëse Shqipëria ka tejkaluar problemet kronike të polarizimit, abuzimit me burimet shtetërore dhe transparencës së financimit, probleme që kanë shoqëruar vendin në dekadën e fundit.

Ai shton se: - “Nëse proceset zgjedhore të Shqipërisë dështojnë të përmbushin standardet ndërkombëtare. duke u përballur sërish me bojkotim, me dyshime për manipulim, apo me një refuzim masiv të rezultateve nga palët politike, kjo do të shënonte një regres në fushën e demokracisë. Kjo situatë, sipas Metodologjisë së Re të Zgjerimit, mund të shkaktojë jo vetëm ngecjen e procesit, por edhe kthyeshmërinë e tij, duke rrezikuar pezullimin e kapitujve të negociatave”.

Parlamenti, që në BE shihet si “motor kontrolli” ndaj qeverisë, në raport përshkruhet si institucionalisht i dobët dhe politikisht i polarizuar, me mungesë mbikëqyrjeje efektive ndaj ekzekutivit dhe moszbatim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. 

Gjergji Vurmo, themeluesi i Elevate Consulting, mendon se mungesa e dialogut politik ka potencialisht mundësinë t’ia humbasë Shqipërisë momentumin gjeopolitik të integrimit dhe se ky momentum nuk duhet të merret I mirëqenë. Ai u shpreh për NewsMax Albania se – “Zhvillimet e ndryshme gjeopolitike në rajon mund të marrin një kthesë të hidhur për ne në çdo moment që ne tregojmë pasiguri apo mungesë maturie. Rasti i Maqedonisë apo edhe i Serbisë, aktualisht janë mbase shembujt më të mirë për të ilustruar këtë, potencialisht”.

Për Brukselin, demokracia është dialog politik, dhe respektim i institucioneve. Këtu Shqipëria nuk e ka kaluar ende provimin.

Drejtësia: SPAK po godet, por kultura e korrupsionit nuk po thyhet

Reforma në drejtësi dhe SPAK janë konsideruar si historia pozitive e Shqipërisë në Bruksel. SPAK ka hetuar zyrtarë të nivelit të lartë, ka konfiskuar pasuri, ka rritur bashkëpunimin me partnerët europianë dhe ka nisur të krijojë standard të ri në drejtësi.    

Megjithatë raporti vëren se korrupsioni mbetet i përhapur gjerësisht, sidomos në Kadastër, Shëndetësi, Administratë vendore dhe Prokurime publike. Kontrolli i deklarimit të pasurive është i dobët, referimet nga institucionet publike janë të pakta, ndërsa mekanizmat e parandalimit pothuajse nuk funksionojnë.  Nga ana tjetër pavarësia e drejtësisë mbetet e cenueshme. Komisioni Europian shpreh shqetësim për presion dhe ndërhyrje politike, si dhe sulme publike ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve. 

Gjergji Vurmo, i tha NewsMax Albania se edhe pse “goditjet” e SPAK ndaj politikës mund t’I japin një dorë shumë të fortë Shqipërisë drejt procesit të integrimit, si në rastin e Kroacisë me ish kryeministrin Sanader, por sërish ato mbeten të pamjaftueshme për të zhbërë kulturën e korrupsionit.

“Problem kryesor i vendit aktualisht, më shumë sesa ndëshkimi, është kapaciteti për të prodhuar korrupsion dhe krim të organizuar me influence në institucione qeverisëse. Zhbërja e këtij kapaciteti mendoj se duhet të jetë prova finale që duhet t’i kërkohet Shqipërisë dhe në këtë kuptim edukimi jo vetëm i administrates, por edhe më gjerë, i sektorit privat dhe gjithë shoqërisë për respektimin e ligjit dhe refuzimin e glorifikimit që i bëhet “antiligjit” është mjaft i rëndësishëm dhe baza kryesore e parabndalimit” – tha Vurmo.

Ndërkohë që vlerëson punën e SPAK në goditjet penale dhe financiare të Krimit dhe Korrupsionit, Arjan Dyrmishi thkeson se kjo nuk është tërësisht e mjaftueshme nëse nuk ndiqet me të njëjtin seriozitet edhe nga institucionet e tjera parandaluese. “Policia e shtetit vazhdon të perceptohet si e cenueshme ndaj korrupsionit, koordinimi mes institucioneve është ende i dobët dhe transparenca e ILDKPKI në kontrollin e pasurive nuk është e mjaftueshme për të krijuar besim të plotë. Për BE, vlerësimi pozitiv nuk vjen vetëm nga dënimet spektakolare, por nga një trend i qëndrueshëm që përfshin parandalimin, transparencën dhe bashkëpunimin institucional” – u shpreh ai për NewsMax Albania

Integrimi, një histori e pashpjeguar

Integrimi nuk është vetëm proces qeveritar. Ai është transformim shoqëror. Megjithatë, raporti thekson se shoqëria civile në Shqipëri operon në një ambient pjesërisht funksional, me mungesë financimi, mungesë mbrojtjeje ligjore dhe shpesh është objekt i fushatave delegjitimuese. 

Po ashtu, Shqipëria nuk ka ende një Strategji të Komunikimit Europian, që të shpjegojë për qytetarët se çfarë sjell integrimi në jetën e tyre të përditshme, duke e shndërruar këtë proces nga gjithëpërfshirës dhe mbarëkombëtar, në një proces të bunkerizuar pa asnjë informacion publik.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)