Një ditë pasi SPAK depozitoi kërkesën për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku, Kuvendi i Shqipërisë ka reaguar në lidhje me çështjen duke bërë me dije se materiali me karakter sekret hetimor është administruar sipas ligjit.
Nisur edhe nga ankesa e deputetëve të opozitës se Kuvendi u ka privuar njohjen me materialin e dërguar nga SPAK, Kuvendi sqaron se USB po ruhet në kasafortën e protokollit dhe do të diskutohet në mbledhje të posaçme të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, në prani të prokurorit të çështjes.
Me shumë gjasë Kuvendi do t’ua vërë USB-në në dispozicion anëtarëve në mbledhjen e së premtes, edhe pse opozita pretendon se neni 118 i rregullores e detyron që t'ua japë menjëherë të gjitha dokumentet e dorëzuara nga SPAK.
“Gjejmë rastin të ritheksojmë edhe një herë, për të gjithë deputetët që janë vënë në dijeni, detyrimin për zbatimin e rreptë të ruajtjes së sekretit hetimor, në përputhje me urdhrin e prokurorit të çështjes. Të gjitha veprimet e deritanishme të Kuvendit janë të bazuara dhe në zbatim të Kushtetutës, Rregullores së Kuvendit dhe urdhrit të prokurorit”, thuhet në reagimin e instititucionit.
NJOFTIMI I KUVENDIT:
Kuvendi i Shqipërisë, në zbatim të dispozitave kushtetuese dhe të Rregullores së Kuvendit, si dhe të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si edhe të urdhrit të prokurorit të çështjes “Për ruajtjen e sekretit hetimor dhe ndalimin e publikimit të akteve”, Kryetari i Kuvendit ka nxjerrë Urdhrin nr. 41, datë 16.12.2025, për thirrjen e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.
Administrata e Kuvendit (Sekretaria e Këshillit) u vuri në dispozicion anëtarëve të këtij Këshilli aktet procedurale përkatëse, si edhe kërkesën dhe urdhrin e prokurorit për ruajtjen e sekretit hetimor, me detyrimin e shprehur që këto dokumente të mos bëhen publike.
Materiali me karakter “sekret hetimor”, në zbatim të Urdhrit të Prokurorisë së Posaçme, datë 16.12.2025, “Për ruajtjen e sekretit hetimor dhe ndalimin e publikimit të akteve”, i nxjerrë në mbështetje të neneve 103, 104 dhe 279 të Kodit të Procedurës Penale dhe nenit 295/a të Kodit Penal, mbart detyrimin e Kuvendit për zbatimin e këtij urdhri në ruajtjen e sekretit hetimor dhe ndalimin e publikimit ose shpërndarjes së akteve të tilla.
Materiali me karakter “sekret hetimor” ndodhet në kasafortën e specialistit të protokollit për dokumentacionin e klasifikuar.
Kjo çështje dhe mënyra e njohjes me këtë informacion do të diskutohen në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, në prani të prokurorit të SPAK-ut.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)