Pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama se parlamenti nuk do të mblidhet për çështjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku, pa u shprehur më parë Gjykata Kushtetuese, ka reaguar kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Ai e cilësoi qëndrimin e Ramës si “një përpjekje për të fituar kohë dhe për të shmangur hetimin ndaj Ballukut”, duke akuzuar kryeministrin se nuk po përballet me përgjegjësitë e tij ligjore dhe politike.
Sipas Bardhit, Kuvendi duhet të kishte vepruar menjëherë për të hequr imunitetin e zv.kryeministres, në vend që kreu i qeverisë të bënte presion mbi organet e drejtësisë. “Çështja nuk është thjesht një rast individual. Hetimi ndaj Ballukut lidhet me një zinxhir vendimesh që shkon deri në zyrën e kryeministrit,” theksonte Bardhi.
Ai shtoi se bllokimi i parlamentit dhe shtyrja e vendimeve me argumentin e Kushtetueses është një mënyrë për të fituar kohë dhe për të shmangur përgjegjësitë. Debati mbi imunitetin e Ballukut vjen ndërkohë që SPAK po vijon hetimet për tendera dhe koncesione, duke përfshirë edhe operacione të mëparshme të administruara nga ministria që ajo drejton.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)