Pak orë para protestës kombëtare të thirrur nga Partia Demokratike, kreu i saj Sali Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen masivisht në tubimin që do të zhvillohet ne bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Berisha theksoi se protesta do të shënojë një moment kthese në raportin e shqiptarëve me qeverinë, të cilën e akuzoi për disa afera korrupsioni.
“Një mision i madh na pret. Ky mision është shansi i jetës për çdo qytetar të këtij vendi, shansi i përmbysjes njëlloj si në Bangladesh, Nepal, Sri Lanka të diktatorëve autokratë, të cilët pasi vjedhin e plaçkitin kombet e tyre, ia mbathin si armiq”, u shpreh Berisha.
Sipas Berishës, situata në kryeqytet dhe në mbarë vendin është e ndezur. Ai theksoi se 22 dhjetori është një ditë e rëndësishme për opozitën.
“22 dhjetori është një ditë e shënuar, ditë që fton çdo shqiptar. Ftoj të gjitha forcat politike opozitare, të gjithë ata që ndjehen opozitar pavarësisht dallimeve që kemi, të bashkohemi që të tregojmë se nuk ka forcë të na ndalojë pa përmbysur regjimin. Tirana po zien, Shqipëria po zien. Kam besim që protesta e sotme do të shënojë kthesën e madhe, drejt fitores së çdo qytetari të këtij vendi për dinjitetin dhe familjen e tij”, tha kreu i PD-së.
Lideri i opozitës foli edhe për skenarët e protestës, duke e cilësuar atë si pjesë të një procesi më të gjerë politik.
“Së pari do të sqaroj se ky është një proces inaugural. Ne zbresim në fushë pasi kemi bërë çdo detyrë, pasi kemi faktuar çdo gjë dhe jemi të betuar që do të vazhdojmë luftën tonë deri në përmbysjen e regjimit. Zbresim në shesh pasi Rama përdori Gjykatën Kushtetuese, organin më të lartë, për të firmosur licencën e vjedhjeve të tij dhe qeveritarëve të tij pa u shqetësuar”, deklaroi Berisha.
Në përfundim, kreu i PD-së paralajmëroi se protestat në vijim do të jenë afatgjata, siç tha ai deri në largimin e qeverisë. “Këtë protestë do ta merrni si një ansambël të tërë dhe do të ndalet vetëm me rrëzimin e Edi Ramës ose me shuarjen e opozitës.”
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)