"Rilindjen do ta groposim", Berisha zbulon misionin e 2026 dhe vlerëson vlonjatët: Ia ngecën në fyt darkën gala

Groposja e qeverisë, të cilën e etiketoi si "Rilindja" do të jetë qëllimi primar i protestave të Partisë Demokratike vitin e ardhshëm. Kreu i saj Sali Berisha e zbuloi objektivin primar gjatë fjalës poshtë zyrës së Edi Ramës, në "Foltoren" e gjashtë të demokratëve.

29.12.2025. 19:17

"Rilindjen do ta groposim", Berisha zbulon misionin e 2026 dhe vlerëson vlonjatët: Ia ngecën në fyt darkën gala

Demokratët kanë zhvilluar sot “Foltoren” e tyre të gjashtë përpara Kryeministrisë, e cila vjen një javë pas protestës kombëtare, tubim që mobilizoi disa mijë qytetarë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Disa qytetarë e kanë marrë fjalën në foltoren, pas së cilës si herët e tjera u vendosën figurat e kryeministrit Edi Rama dhe zv/kryeministres Belinda Balluku me uniformën e burgut veshur, ashtu si edhe të ish-ministrave e ish-kryebashkiakëve socialiste të dënuar për afera korruptive.

Kreu i PD-së, Sali Berisha në fjalën e tij e ka akuzuar qeverinë për abuzime me fondet publike, korrupsion dhe fryrje të kostove në ndërtimin e infrastrukturës rrugore. Duke sjellë si krahasim një projekt rrugor në Greqi, Berisha deklaroi se autoritetet greke kanë prokuruar këtë vit autostradën Janinë–Kakavijë me gjashtë korsi dhe standarde evropiane, me një kosto rreth 4 milionë euro për kilometër. Sipas tij, kjo është në kontrast të fortë me projektet në Shqipëri.

“Në Greqi ndërtohet autostradë me 6 korsi me 4 milionë euro për kilometër, ndërsa këtu ndërtohen rrugë floriri me 17 deri në 22 milionë euro për kilometër nga Lubi Balluku”, u shpreh Berisha, duke akuzuar drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama dhe zv/kryeministren Belinda Balluku.

“Pra, zinxhiri i vjedhjeve të tyre, i qëndrimeve të tyre nuk ka fund”, shtoi ai.

Në fjalën e tij, kreu i PD-së theksoi se shpresa për ndryshim qëndron te qytetarët dhe te mobilizimi i opozitës, duke bërë thirrje për vendosmëri dhe pjesëmarrje aktive në protesta kundër qeverisë.

“Shpresa e vetme për shqiptarët qëndron në mendjen dhe zemrat tuaja, në vendosmërinë tonë, vendosmërinë e popullit opozitar”, deklaroi Berisha, duke e cilësuar mazhorancën si “regjim të kalbur të Rilindjes”.

Berisha komentoi edhe protestat e qytetarëve të Vlorës, të cilët janë ngritur pas disa ditësh pa ujë të pijshëm, duke ndërhyrë edhe në një mbrëmje gala të organizuar nga bashkia në teatrin “Petro Marko”. Ai shprehu mbështetjen e tij për protestuesit dhe kritikoi ashpër qeverinë për situatën.

“Pesë ditë pa ujë ishin. Qytetarët e Vlorës ia zunë kafshatën e mbrëmjes gala në fyt dhe i përzunë hajdutët nga salla ku festonin. Sot të rinjtë e Vlorës dhe qytetarët mbushën sheshin dhe bëjnë përgjegjëse qeverinë dhe Ramën për situatën e tyre dramatike”, tha Berisha.

Kreu i PD-së deklaroi se opozita do të vijojë protestat edhe vitin e ardhshëm, duke theksuar se, sipas tij, ka një vendosmëri të madhe qytetare për largimin e qeverisë.

“Sot e mbyllim protestën tonë për ta vijuar vitin tjetër me protesta sërish. Kudo që shkoj gjej një vendosmëri absolute për t’u ndarë me këtë të keqe sa më shpejt. Shqiptarët presin me padurim largimin e kësaj bande nga pushteti”, u shpreh Berisha.

Përmes këtyre protestive, Partia Demokratike kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama dhe hapjen e rrugës për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)