Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar Gjykatën Kushtetuese për “pengmarrje politike” nga kryeministri Edi Rama, në lidhje me çështjen që përfshin zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Sipas Bardhit, mënyra se si është trajtuar kjo çështje tregon një qasje selektive dhe të njëanshme të institucionit më të lartë kushtetues në vend.
Në një deklaratë publike, Bardhi tha se Gjykata Kushtetuese duhet të sqarojë arsyet pse ka legjitimuar kërkesën e Kryeministrit për pezullimin e një vendimi penal, ndërkohë që ka refuzuar të drejtën kushtetuese të një të pestës së deputetëve për të paraqitur kërkesa të ngjashme. Ai e cilësoi këtë veprim si zbatim të dy standardeve dhe shkelje të parimit të barazisë para ligjit.
“I vetmi shpjegim me vlerë për publikun që duhet të japë Gjykata Kushtetuese është ky: cilat qenë arsyet dhe motivet që e çuan t’i nënshtrohej presionit të Kryeministrit në çështjen Balluku, duke treguar papërgjegjshmëri dhe mungesë të theksuar integriteti. Sqarimi i kësaj rrethane do ta çlironte Gjykatën Kushtetuese nga pengmarrja politike dhe do t’i zvogëlonte hendekun e mosbesimit tek kjo gjykatë.
Po ashtu, do të bënin mirë që të shkruanin po kaq gjatë sa sqarimi për publikun, edhe argumentet kushtetuese për pezullimin e një vendimi gjyqësor penal, me efekt individual, me kërkesë të një institucioni kushtetues, siç është Kryeministri”, shkruan Bardhi.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)