Dështon për herë të katërt mbledhja e Këshillit të Mandateve, Bardhi: Do kallëzojmë penalisht Peleshin

Gazment Bardhi ka paralajmëruar një kallëzim penal për kryeparlamentarin Niko Peleshi, pasi këtë të martë socialistët nuk u paraqitën në mbledhjen e kërkuar nga demokratët të Këshillit të Mandateve për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku.

06.01.2026. 12:07

Dështon për herë të katërt mbledhja e Këshillit të Mandateve, Bardhi: Do kallëzojmë penalisht Peleshin

Ka dështuar për herë të katërt mbledhja e Këshillit të Mandateve, e kërkuar nga anëtarët e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, ku pritej të diskutohej kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Mbledhja ishte njoftuar për në orën 11:00, por nuk u zhvillua për shkak të mungesës së anëtarëve socialistë.

Grupi parlamentar i PD-së i kishte drejtuar një shkresë kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, për thirrjen e mbledhjes, por nga mazhoranca nuk ka pasur reagime, duke i qëndruar linjës së paralajmëruar më herët se imuniteti i Ballukut do të diskutohet pasi të shprehet Gjykata Kushtetuese për kërkesën e GJKKO për pezullimin e saj nga detyra.

Pas dështimit për të zhvilluar mbledhjen, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, në një deklaratë për mediat tha se kanë kaluar tashmë tre javë nga kërkesa e Prokurorisë së Posaçme për lejimin e arrestimit të Belinda Ballukut.

“Më lejoni fillimisht t’ju uroj një vit të mbarë. Edhe sot, me përgjegjshmëri të plotë, 5 anëtarët e opozitës në Këshill kërkuan mbledhjen e Këshillit të Mandateve për të vijuar shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit për Ballukun. Kërkesa ishte e bazuar në Rregulloren e Kuvendit”, u shpreh Bardhi.

Ai e cilësoi situatën si të paprecedentë dhe akuzoi drejtuesit e Kuvendit dhe mazhorancën për zvarritje të qëllimshme të procesit.

“Sot mbushen plot tre javë nga kërkesa e SPAK për lejimin e arrestimit të krahut të djathtë të Ramës dhe tre javë që kur Peleshi dhe anëtarët socialistë në Këshill fshihen, siç fshihen ata që kanë shkelur ligjin. Ky është një rast i paprecedentë kur Këshilli merr kaq kohë për shqyrtimin e një kërkese të ngutshme të SPAK, qoftë para apo pas reformës në drejtësi”, tha Bardhi.

Në vijim, kreu i grupit parlamentar të PD-së paralajmëroi se opozita po përgatit një kallëzim penal për shpërdorim detyre ndaj kryetarit të Kuvendit.

“Ne do të përgatisim edhe një kallëzim penal për shpërdorim detyre ndaj kryetarit të Kuvendit. Kryetari i Kuvendit nuk mund të tallet me Kuvendin dhe nuk merr urdhra nga të korruptuar. Ai nuk është ushtar i Ballukut, edhe pse ajo e ka ndihmuar që ai të jetë kryetar i ri i Kuvendit, sepse ka qenë zgjedhje e saj personale”, deklaroi Bardhi.

Ai e mbylli deklaratën me akuza të forta ndaj mazhorancës për mbrojtjen e Ballukut. “Është guxim i madh të marrësh në mbrojtje një të korruptuar që ka abuzuar me 1.1 miliardë euro”, përfundoi Bardhi.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)