“E latë të hante Vitin e Ri në shtëpi”, Bardhi: Balluku alibi me afatin 3-javor, s’ka tërhequr dosjen

Gazment Bardhi tha sot nga Kryesia e Kuvendit se zv/kryeministrja Belinda Balluku përdori si alibi për t'iu shmangur drejtësisë afatin tre javor që kërkoi për t’u njohur me aktet dhe provat, pasi as ajo dhe as ekipi i saj nuk e kanë tërhequr dosjen që SPAK ka dorëzuar për të.

06.01.2026. 12:14

“E latë të hante Vitin e Ri në shtëpi”, Bardhi: Balluku alibi me afatin 3-javor, s’ka tërhequr dosjen

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar zv/kryeministren Belinda Balluku se ka përdorur afatin prej tre javësh të kërkuar për t’u njohur me aktet hetimore vetëm si një mënyrë për të fituar kohë dhe për t’iu shmangur drejtësisë.

Në një deklaratë për mediat nga Kryesia e Kuvendit, Bardhi tha se as Balluku dhe as avokatët e saj nuk kanë tërhequr dosjen hetimore, duke e cilësuar afatin e dhënë si një alibi.

“Afati prej tre javësh është një alibi për t’iu fshehur drejtësisë, jo kohë e nevojshme për të përgatitur mbrojtjen, pasi mbrojtësit e Ballukut nuk kanë denjuar as të tërheqin materialet hetimore. Nuk i ka tërhequr as vetë e pandehura që kërkonte kohë të përgatitej. Edhe afati tre javë që Balluku të hante Vitin e Ri në shtëpinë e saj e jo në burgun e Pojskës, skadoi”, deklaroi Bardhi.

Ai shtoi se sot ka përfunduar edhe afati që i ishte dhënë Kuvendit për mbledhjen e Këshillit të Mandateve lidhur me çështjen Balluku dhe kërkoi sqarime nga drejtuesit e Kuvendit.

“Kryetari i Kuvendit duhet të shpjegojë pse nuk mbledh Këshillin e Mandateve dhe pse nuk autorizon dhënien e lejes për prokurorinë për të arrestuar apo për të marrë masa të nevojshme ndaj të pandehurës Balluku”, u shpreh ai.

Sipas Bardhit, Balluku po hetohet për një sërë procedurash që lidhen me abuzime të mëdha financiare, ndërsa vlera totale e dëmit, sipas tij, arrin në rreth 1.1 miliardë euro.

“Zonja Balluku është person nën hetim për tunelin e Llogarasë, për lotin 4 të Unazës së Madhe, por edhe për 9 procedura të tjera. Janë 1.1 miliardë euro abuzime që sot Edi Rama ka vendosur t’i marrë në mbrojtje”, tha Bardhi.

Ai renditi disa nga procedurat për të cilat, sipas tij, SPAK ka mbledhur prova, duke përmendur projekte infrastrukturore si Thumanë–Fushë Krujë–Vorë–Kashar, Sheshi Shqiponja–Bulevardi i Ri, Unaza e Jashtme e Tiranës, rruga Porto Romano–Durrës, si dhe kontrata të tjera me vlera miliardëshe.

“Në të gjitha këto procedura, SPAK ka konstatuar veprime të kundërligjshme, që në bashkëpunim me persona të tjerë kanë krijuar avantazhe për disa operatorë ekonomikë”, tha Bardhi, duke shtuar se kërkesa për arrestimin e Ballukut synon të shmangë intimidimin e dëshmitarëve dhe zhdukjen e provave.

Në përfundim, ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se po e mbron Ballukun për interesa personale.

“Çdo shqiptar e ka kuptuar se Rama ka marrë në mbrojtje Ballukun, pasi çdo krim i kryer nga ajo ka qenë i nxitur drejtpërdrejt nga interesa personale të Ramës. Ndaj është e domosdoshme që kërkesa e SPAK të merret parasysh dhe të jepet autorizimi”, përfundoi Bardhi.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)