Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë për mosvendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese dy ditë më parë, e cila riktheu masën e pezullimit nga detyra për zv/kryeministren Belinda Ballukun.
Sipas kreut të qeverisë, Kushtetuesja nuk gjeti forcën për të mos lejuar marrjen peng të qeverisë, teksa theksoi se me këtë mosvendimmarje krijohen shumë precedentë të rrezikshëm.
Ndërsa e cilësoi zhbërjen e këtij vendimi një domosdoshmëri, Rama kishte dhe një thirrje për opozitën, të cilët i kujtoi se vetëm kjo mazhorancë është garanti i drejtësisë së re.
“GJK nuk e ka gjetur forcë për të moslejuar marrjen peng të qeverisë me një mjet të paparë sic është pezullimi i një ministri pa filluar gjyqi. Bëhemi shembulli i një budallallëku botëror. GJK u mbyt në një lugë ujë. Mosvendimarrja e kthen në fuqi pezullimin e ministres, e cila nuk akuzohet për korrupsion as nga prokurori. Sidoqoftë zhbërja e kësaj shpikje të drejtësisë së papjekur mbetet një domosdoshmëri. Ne do ta vazhdojmë këtë betejë. Ky ishte një vendim i thjeshtë dhe mjaftonte të merrte shembull vendet e tjera të botës. Me këtë brutalitet vetë presidenti mund të pezullohet nga një prokuror. Kujtdo që ka vënë buzën në gaz pas mosvendimit të GJK u them një gjë. Lufta për drejtësi ka vetëm një garant dhe kjo është PS”, tha Rama në podcast.
Kujtojmë që Gjykata Kushtetuese u nda 4 me 4 në votim për çështjen e pezullimit nga detyra të Belinda Ballukut, duke mos marrë një vendim që rrjedhoi në lënien në fuqi të masës së vendosur nga GJKKO.
Zv.kryeministrja Balluku akuzohet për shkelje të barazisë në tenderë për 7 lotet e Unazës së Madhe në kryeqytet dhe për tunelin e Llogorasë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)