Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar, Partia Socialiste ka prezantuar ndryshimin në ligjin e Kodit të Procedurës Penale që nuk do të lejojë gjykatat që të pezullojë nga detyra ministrat.
Kjo nismë vjen pas vendimit të GJKKO për zv.kryeministren Belinda Balluku dhe u prezantua në mbledhjen e grupit të Partisë Socialiste me iniciatorë vetë kryeministrin Edi Rama, kreun e grupit të PS, Taulant Balla dhe Ulsi Manjën.
Ishte pikërisht ky i fundit që prezantoi ndryshimin në ligjin nr.242, i cili parashikon që gjykata nuk mund të pezullojë nga detyra 7 subjekte të tjera duke përfshirë kryeministrin, zv. Kryeministrin, Avokatin e Popullit etj.
Sipas Manjës, ky pr.ligj nuk prek kompetencat e prokurorisë dhe nuk zgjeron imunitetin kushtetues.
“Kjo nismë është normale në veprimtarinë e një parlamenti dhe deputeti të Kuvendi. Nisma synon të plotësojë një boshllëk ligjor. Neni 242 në Kodin e Procedurës Penale. Ky nen ka të bëjë me masat ndaluese. Në pikën 1 sqarohen kompetencat që ka Gjykata për masat ndaluese që janë pezullimi nga detyra dhe ndalimi i ushtrimit të detyrës. Ne propozojmë që në pikën dy të shtohet rrethi i subjekteve ku nuk mund të jepet pezullimi nga detyra dhe shtohet me Presidentin, Avokatin e Popullit, Kryeministrin, zv.kryeministrin dhe kryetarin e KLSH.
Kemi zgjedhur këto subjekte, pasi janë shtyllat kryesore të shtetit të së drejtës dhe shtetit demokratik. Qëllimi i ndërhyrjes është garantimi i funksionimit normal të institucioneve. Ndërhyrja që ne propozojmë nuk zgjeron imunitetin kushtetues. Ne nuk i prekim kompetenca e prokurorisë me këtë ndryshim. Subjektet mbeten të hetueshme, gjykata ka kompetencën për masa të sigurimit personal. Nuk prek strukturën e masave shtrënguese”, tha Manja që kërkoi që nisma të kalojë në Kuvend sipas procedurave.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)