Spiropali me Komisionin e Punëve të Jashtme të PE: 2026, vit kyç për reformat dhe integrimin në BE

Procesi i integrimit europian të Shqipërisë ishte në qendër të një takimi të zhvilluar sot në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, ku ministrja Elisa Spiropali priti delegacionin e Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian, të kryesuar nga David McAllister.

17.02.2026. 21:01

Gjatë bisedimeve, palët diskutuan ecurinë e negociatave të anëtarësimit dhe rolin mbështetës të Parlamentit Europian në këtë rrugëtim. Sipas njoftimit zyrtar, u theksua rëndësia e vijimit me vendosmëri të reformave, me fokus te maksimalizimi i rezultateve konkrete. Viti 2026 u cilësua si moment kyç për jetësimin e planeve të bashkëdakordësuara ndërmjet Shqipërisë dhe institucioneve të Bashkimit Europian.

Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit ishte linjëzimi i plotë i politikës së jashtme të Shqipërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së. Ky harmonizim u konsiderua si një investim strategjik për forcimin e bashkëpunimit dhe rritjen e besueshmërisë së vendit në arenën ndërkombëtare.

Në një postim në rrjetet sociale, Spiropali vlerësoi takimin si një “bisedë të njëmendtë” mbi prioritetet e integrimit. Ajo nënvizoi gjithashtu nevojën për zgjerimin dhe diversifikimin e bashkëpunimit me të gjitha institucionet europiane, përfshirë Parlamentin Europian, në çdo fushë.

“I falënderova për mbështetjen e procesit të zgjerimit dhe anëtarësimit të Shqipërisë në BE, si një investim i vyer për paqen, sigurinë dhe begatinë e kontinentit tonë,” shkroi ministrja.

Takimi vjen në një periudhë të rëndësishme për axhendën europiane të Shqipërisë, ndërsa vendi synon përshpejtimin e reformave kyçe dhe avancimin e kapitujve negociues. Delegacioni i AFET ritheksoi mbështetjen për perspektivën europiane të Shqipërisë dhe përpjekjet e saj për përmbushjen e standardeve të BE-së.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)