“Ofensivë e drejtë ndaj Iranit”, Rama: Ne jemi të mbrojtur nga NATO

Kryeministri Rama e cilësoi të drejtë luftën e nisur në Lindjen e Mesme ndaj Iranit. Sipas tij, regjimi i ajatollahëve nuk duhet të ketë armë bërthamore.

08.03.2026. 09:41

“Ofensivë e drejtë ndaj Iranit”, Rama: Ne jemi të mbrojtur nga NATO

Kryeministri Edi Rama ka reaguar edhe njëherë në rrjetet sociale në lidhje me situatën e krijuar së fundmi në Lindjen e Mesme, ku prej një jave forcat izraelite dhe ato të SHBA po përballen me Iranin.

Kreu i qeverisë e cilësoi të drejtë ofensivën ndaj Iranit, teksa shtoi se në këto momente prioritet është siguria e qytetarëve shqiptarë të bllokuar në këtë rajon, evakuimi i të cilëve tashmë është një sfidë.

“Edhe ne jemi të prekur, politikisht nga zhvillimet e fundit në Lindjes së Mesme dhe përshkallëzimi i situatës në një rajon ku kemi miq të jashtëzakonshëm. Kemi miqësi me Izraelin dhe me vendet e Gjirit Persik, të cilat kanë qenë në rrezen e agresionit të Teheranit. Situata mbetet e ndërlikuar, vështirë të shihet fundit i një ofensive të drejtë të nisur nga SHBA dhe Izraeli për të ndaluar mundësinë që regjimi obskurantist të prodhojë bombën atomike. Edhe për ne prioritetet është siguria e shqiptarëve që ndodhen në ato vende. Jemi në kontake me ta, po bëjmë gjithçka për të monitoruar situatën, ndërkohë që cështja e fluturimeve mbetet sfidë. Kjo është një situatë që kërkon kujdes”, tha kryeministri.

Më tej, Rama rrëzoi dhe lajmet se Shqipëria mund të jetë në objektivin e Iranit për shkak të strehimit të muxhahedinëve. Ai tha se vendi ynë është pjesë e NATO dhe do të mbrohet prej aleancës.

“Jemi solidarë me gjithë vendet e prekura, përfshirë Qipron, e cila u godit. Edhe Turqia u tentua të goditej nga një raketë. Ka pasur thashetheme për Shqipërinë. Por ndryshe nga vendet e tjera, burimin më të madh të dezinformimit e kemi brenda. Nga këtu është prodhuar edhe një seri lajmesh për mundësinë e sulmit mbi Shqipërinë. Por ju kujtoj të gjithëve se ne jemi vend i NATO dhe aleanca e tregoi më së miri me raketën që u nis për në Turqi”, u shpreh kryeministri.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)