Lufta në Lindjen e Mesme ka ndikuar në tregun e karburanteve në Shqipëri duke bërë që çmimi i naftës të kapërcejë gati me 30 lekë, deri në 200 lekë për litër.
Për të adresuar problemin, qeveria ka ngritur një strukturë Task-Force, që do të monitorojë çdo ditë kompanitë e karburanteve për të mos lejuar abuzime me çmimet, ndërsa nuk u përjashtua nga Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, as rikthimi i Bordit të Transparencës.
Efektet e luftës në tregun e hidrokarbureve në vend e ka komentuar edhe kryeministri Edi Rama në konferencën për media të së premtes, ku deklaroi se qeveria po përgatit një ndërhyrje të re, me synimin për ta bërë çmimin e naftës më të përballueshëm për qytetarët.
Rama theksoi se një nga objektivat e shumicës qeverisëse është krijimi i një faktori të ri në këtë treg, përmes një strukture publike që do të ndikojë në uljen e kostove.
“Unë e kam shprehur që kur kemi bërë mbledhjen e parë të Asamblesë së Shumicës qeverisë pas zgjedhjeve që një nga objektivat tona është krijimi i një faktori të ri në tregun e naftës, një faktor shtetëror, një forcë publike për të krijuar një kapacitet që të lehtësojë barrën mbi qytetarët”, tha Rama.
Sipas tij, ndërhyrja e shtetit synon të nxisë konkurrencë në treg, njësoj siç ndodhi me sektorin e fluturimeve ajrore. “Ne e lehtësuam tregun duke nxitur konkurrencën dhe duke ndryshuar qasjen për fluturimet ajrore. Sot Shqipëria ka aeroportin më të suksesshëm të Ballkanit. Ne ishim jashtë harte fare, por sot nuk është më Beogradi kryeqyteti i aviacionit, por është Tirana dhe kjo është një arritje”, deklaroi kryeministri.
Rama shtoi se qeveria synon që nëpërmjet garancive shtetërore të krijojë marrëveshje afatgjata me kompani që merren me shpërndarjen e naftës.
“Duke vënë në dispozicion garancitë, do të jetë shumë më e lehtë për të pasur marrëveshje me kompani që e shpërndajnë naftën, që të kemi qëndrueshmëri afatgjatë”, tha ai.
Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu se rritja e çmimeve të naftës është një problem global, ndërsa Shqipëria po përgatit edhe masa sigurie për rezervat strategjike.
“Kriza po shfaqet në të gjithë botën, edhe për shkak të rritjes së çmimit të naftës. Sot ne kemi edhe në proces ligjin e rezervave. Kur kam folur për rezervat e naftës para vitit 2020, u hodhën tenxhere përpjetë. Sot kjo është imperative”, deklaroi Rama.
Ai shtoi se qeveria ka vendosur që rezervat e naftës të arrijnë për një periudhë tre mujore, edhe pse sipas tij kjo mund të mos jetë e mjaftueshme si masë sigurie për të ardhmen.
“Sot e kemi përcaktuar që rezervat duhet të shkojnë në tre muaj. Kjo nuk mjafton më si masë sigurie”, përfundoi kryeministri.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)