Në kulmin e konfliktit në Lindjen e Mesme, kryeministri Edi Rama deklaroi në konferencën e sotme për mediat se Kuvendi i Shqipërisë javën e ardhshme do të votojë një rezolutë për shpalljen e Iran si shtet sponsorizues të terrorizmit.
Rama sqaroi se në të njëjtën rezolutë pritet të shpallen organizatë terroriste edhe Garda Revolucionare e Iranit, si dhe sateliti i tyre në Liban, Hezbollahu, duke e vendosur sipas tij Shqipërinë në të njëjtën linjë me aleatët që kanë ndërmarrë më herët hapa të ngjashëm.
“Javën që vjen, parlamenti do të votojë rezolutë për ta shpallur Republikën Khomeiniste të Iranit, ajo republikë nuk ka lidhje me islamin, sipas asaj që unë di dhe unë çmoj te islami, shtet sponsor të terrorizmit. Bashkë me këtë, do të shpallet organizatë terroriste Garda Revolucionare dhe Hezbollahu. Kjo është e vërteta. Në këto hapa nuk jemi pionerët, sepse ka pasur edhe më parë aleatë që e kanë hedhur. Është koha ta bëjmë edhe ne këtë gjë”, deklaroi kreu i ekzekutivit.
Ndërkohë, kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, pak pas deklaratës së kryeministrit ka depozituar në Kuvend një projekt-rezolutë në emër të grupit socialist, e cila parashikon shpalljen e Republikës Islamike të Iranit si shtet që sponsorizon terrorizmin dhe që përdor teknika terroriste.
Sipas propozimit të paraqitur në Kuvend, përmes kësaj rezolute u bëhet thirrje vendeve demokratike, organizatave ndërkombëtare dhe partnerëve të Shqipërisë që të shqyrtojnë masa të koordinuara kundër terrorizmit të sponsorizuar nga shtetet, si dhe të forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër këtyre kërcënimeve.
Nismëtarët e projekt-rezolutës shprehen se presin që ajo të marrë mbështetjen e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Pas miratimit, dokumenti pritet t’i përcillet qeverisë shqiptare, qeverive aleate dhe institucioneve ndërkombëtare, përfshirë OKB-në dhe BE-në.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)