Çështja 'Balluku', Rama: Kisha debat me ndërkombëtarët, refuzimi i arrestimit nuk e ndal integrimin në BE

Kryeministri Edi Rama pranoi në konferencën për media se për refuzimin me votë në Kuvend të kërkesës së SPAK për arrestimin e ish/zv-kryeministres Belinda Balluku, ka pasur debat me partnerët ndërkombëtarë, por kjo sipas tij nuk e pengon rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së.

13.03.2026. 12:54

Çështja 'Balluku', Rama: Kisha debat me ndërkombëtarët, refuzimi i arrestimit nuk e ndal integrimin në BE

Pasi Parlamenti refuzoi këtë të enjte kërkesën e SPAK, për të autorizuar arrestimin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, kryeministri Edi Rama doli në konferencë për media. Ai komentoi vendimin e marrë me forcën e votës, teksa theksoi se kërkesa e Prokurorisë nuk i përmbushte “kushtet minimale për t’u marrë në konsideratë”.

“Ju e keni ndjekur rrjedhën e ditës, besoj edhe prononcimin tim që dua ta përsëris. Lidhet drejtpërdrejtë me të vërtetën që: Kërkesa e Prokurorisë nuk i përmbushte kushtet minimale për t’u marrë në konsideratë”, tha Rama.

Kreu i ekzekutivit shtoi se përpjekjet për të lidhur refuzimin e kërkesës së SPAK me pengimin e Shqipërisë drejt BE-së ose të reformës në Drejtësi janë “përpjekje të shëmtuara”.

"Qëndrimi im lidhet me të vërtetën e madhe që kërkesa e SPAK nuk përmbushte as kushtet minimale për t’u marrë në konsideratë, përpjekja për ta lidhur refuzimin me arsye tjetër apo për ti dhënë përmasën e një fakti që do bllokojë rrugën e Shqipërisë në BE apo do pengoj zbatimin e reformës në drejtësi është një përpjekje e shëmtuar madje në dëshpërimin e vet ka gjithë ingredientët që ka në të përditshmen tonë përpjekja për të bërë cmos që Shqipëria të pengohet dhe që hapat e shpejtë te frenohen Nuk ka asgjë të re në këtë, por materiali në këtë rast është i favorshëm për të torolisur njerëzit dhe për të fryrë daullen e luftës kundër qeverisë dhe shumicës qeverisëse", deklaroi Rama.

Kryeministri nënvizoi se refuzimi nuk ndikon në procesin e integrimit europian dhe se disa reagime ishin të ekzagjeruara. “Materiali në këtë rast është i favorshëm për të torolisur njerëzit dhe për të fryrë daullet e luftës kundër qeverisë dhe shumicës së kësaj qeverie”, theksoi Rama.

Rama po ashtu hodhi poshtë zërat për presion nga partnerët ndërkombëtarë, pas votës së Kuvendit që refuzoi kërkesën e Prokuroria e Posaçme për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku. Shefi i qeverisë theksoi se komunikimi me aleatët ndërkombëtarë ka qenë normal dhe konstruktiv, duke mohuar çdo pretendim për tensione apo kërcënime ndaj qeverisë shqiptare.

“Kemi pasur debat lidhur me çështjen dhe ka qenë shumë konstruktiv. Deklaratat nuk flasin për komentet që u bëhen atyre. Deklaratat flasin për domosdoshmëri që të vazhdohet hetimi, të vazhdohet lufta kundër korrupsionit. Unë kështu i shoh deklaratat dhe nuk shoh asnjë problem dhe jam 100% i linjëzuar për çfarë shkruhet në deklarate në lidhje me parimet. Nuk ka kushte për të ngritur dorën dhe për të arrestuar një person që akuzohet për korrupsion. Nuk është parlamenti noteri i Prokurorisë. Parlamenti shikon a janë përmbushur apo jo kushtet. Por nuk ka korrupsion dhe nuk përmbushet asnjë nga kushtet që të merret ajo masë. Vetë deklaratat e bëra dje janë shumë të qarta, por varet sesi i lexon. Duke pasur parasysh edhe sipërfaqen ku janë shkruar dhe leximin prej saj, edhe thellësinë e marrëdhënieve dhe realitetin e përditshëm të komunikimit, ju them me plot gojën që leximi i bërë nga ata që kanë vënë kujën se u bllokua Shqipëria dhe mbaroi ëndrra europiane, është në rastin më të mirë, pervers, dhe në rastin më të keq, i qëllimshëm për të lënduar këdo që dëshiron suksesin në këtë rrugë. Kush merret me këto deformime dhe i bie kësaj daulleje, nuk e dëshiron suksesin e kësaj rruge sepse e lidh me qeverinë, me mua, me ne”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë zhvillohen mbi baza respekti dhe barazie, duke nënvizuar se Shqipëria përfaqësohet me dinjitet në këto komunikime.

“Unë në këtë detyrë përfaqësoj Shqipërinë, interesin e saj dhe gjithë shqiptarët dhe një nga normat e padiskutueshme të këtij përfaqësimi është që t’i shikoj partnerët në sy dhe të më shikojnë në sy në të njëjtën lartësi. As unë s’më shkon mendja të shikoj njeri nga lart poshtë dhe as pranoj të më shohë njeri nga lart poshtë. Përtej mënyrës si janë pikturuar në karikaturat e pazarit mediatik dhe politik, diskutimet tona kanë qenë konstruktive. S’ka pasur asgjë të ngjashme sa i takon tensionit, presionit, kërcënimit. Këto janë gjëra që s’ndodhin në ato nivele ku bëhen ato diskutime”, theksoi Rama.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)