Rama reagon për deklaratat e ambasadave për Ballukun: Reforma në drejtësi nuk khehet pas

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratave të ambasadave të Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë lidhur me rastin e Belinda Ballukut, pasi Kuvendi refuzoi kërkesën e SPAK për lejimin e arrestimit.

12.03.2026. 13:09

Rama reagon për deklaratat e ambasadave për Ballukun: Reforma në drejtësi nuk khehet pas

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratave të ambasadave të Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë lidhur me rastin e Belinda Ballukut, pasi Kuvendi refuzoi kërkesën e SPAK për lejimin e arrestimit.

Në reagim Rama përshëndeti deklaratat e dy ambasadave, duke theksuar se parimet e shprehura prej tyre janë të përbashkëta.

“Përshëndes deklaratat e ambasadave të Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë, me parimet e shprehura në të cilat jemi të gjithë shumë dakord, 100%”, u shpreh ai.

Kreu i qeverisë theksoi se shumica qeverisëse mbetet e vendosur në objektivin strategjik për anëtarësimin e vendit në Bashkimi Europian deri në vitin 2030, ndërsa nënvizoi se reforma në drejtësi nuk do të kthehet pas.

“Reforma në drejtësi nuk kthehet mbrapa, pavarësia e gjyqësorit nuk preket dhe mbështetja për SPAK-un mbetet e palëkundur”, deklaroi Rama.

Ai shtoi se lufta kundër korrupsionit do të vijojë më këmbëngulëse se kurrë, duke iu referuar edhe vlerësimeve të fundit të Komisioni Europian.

Në reagimin e tij, kryeministri theksoi gjithashtu se Balluku nuk akuzohet për korrupsion dhe se hetimi duhet të vijojë pa ndërhyrje nga faktorë jashtë sistemit të drejtësisë.

“Belinda Balluku nuk akuzohet për korrupsion dhe hetimi i çështjes duhet të vazhdojë i patrazuar, pa pengime apo yshtje ndaj SPAK-ut nga faktorë jashtë kufijve të pushtetit të pavarur gjyqësor”, tha Rama.

Sipas tij, vendimi i Kuvendit për të refuzuar kërkesën për heqjen e lirisë së deputetes ishte një veprim në përputhje me normat kushtetuese dhe ligjore, duke argumentuar se parlamentet demokratike në Europë ushtrojnë kontroll mbi kërkesat e prokurorisë.

Rama shtoi se Kuvendi respektoi plotësisht procedurat dhe se vendimi i sotëm tregon se “dinjiteti i parlamentarëve nuk është material për eksperimente socio-politike”.

Në fund të reagimit, kryeministri theksoi se Shqipëria duhet të vazhdojë përpara drejt integrimit europian. “Ecim përpara, Shqipëria nuk ka plan B”, përfundoi ai.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)