Një aksident serioz ka ndodhur në Minierën e Bakrit në Spaç, ku një minator ka mbetur i plagosur rëndë gjatë punës. I plagosuri është identifikuar si Edmond Gjikolaj, 48 vjeç dhe baba i pesë fëmijëve, i cili është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Minatori ndodhet në gjendje të rëndë dhe po merr trajtim mjekësor intensiv.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes, por rrethanat e sakta të aksidentit ende nuk janë bërë të ditura nga autoritetet. Policia e Lezhës, ende nuk ka dhënë asnjë njoftim zyrtar lidhur me incidentin. Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë ka reaguar menjëherë, duke shprehur solidaritet me minatorin dhe familjen e tij.
Në një deklaratë publike, sindikata thekson se ky aksident nuk është një rast i izoluar, por pasojë e problemeve të vazhdueshme të sigurisë në punë në minierë. Sipas KSSH, kompania “Tete Albania Tunnel & Mining” sh.a., që operon në minierë ka shkelur rregullat e sigurisë dhe mbrojtjes së shëndetit në punë. Sindikata kërkon një hetim të plotë dhe transparent për ngjarjen.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)