Dita e Verës, kufizime qarkullimi në Elbasan për 48 orë, policia njofton devijimet

Bëhet me dije se për 48 orë do të bllokohet segmenti rrugor nga stadiumi ‘Elbasan Arena’ deri te rrethrrotullimi i “1 Majit”, ndërsa në qendër të qytetit do të ndalohet parkimi i mjeteve.

13.03.2026. 13:08

Dita e Verës, kufizime qarkullimi në Elbasan për 48 orë, policia njofton devijimet

Policia e Elbasanit ka hartuar një plan të posaçëm masash për mbarëvajtjen e festimeve të Dita e Verës, duke paralajmëruar kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa segmente rrugore të qytetit.

Sipas autoriteteve, në datat 13 dhe 14 mars do të ketë masa të shtuara sigurie dhe prezencë të shtuar të policisë në zonat ku zhvillohen aktivitetet festive, në akset kryesore rrugore, si dhe në hyrje dhe daljet e qytetit.

Bëhet me dije se për 48 orë do të bllokohet segmenti rrugor nga stadiumi ‘Elbasan Arena’ deri te rrethrrotullimi i “1 Majit”, ndërsa në qendër të qytetit do të ndalohet parkimi i mjeteve.

Gjithashtu, parkimi do të ndalohet edhe përgjatë bulevardit Bulevardi ‘Aqif Pasha’, ndërsa shërbimet e Policisë Rrugore do të jenë në terren për orientimin dhe devijimin e trafikut.

Për të shmangur trafikun dhe për të lehtësuar qarkullimin gjatë festimeve, mjetet do të drejtohen drejt zonave të posaçme të parkimit sipas drejtimit nga vijnë:

  • Nga lindja (Ura e Bakallit) – parkim te Parku i Mallrave.
  • Nga jugu (Kryqëzimi i Cërrikut) – parkim te Shkolla e Formimit Profesional dhe te parkimi i ri pranë varrezave publike.
  • Nga perëndimi (Kryqëzimi i Luleve) – parkim te shkolla profesionale “Sali Ceka”, pranë Doganës, si dhe në parkimin pranë stacionit të trenit.

Policia njofton gjithashtu se autobusët e linjës Tiranë – Elbasan do të stacionohen pranë Doganës, afër shkollës profesionale, ndërsa autobusët e linjës Elbasan – Cërrik do të ndalojnë te ish-ofiçina në rrugën “Ura”, pranë tregut industrial.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e policisë për të shmangur bllokimet gjatë festimeve të Ditës së Verës.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)