“Në burg për ta ndëshkuar”, raporti amerikan për kryebashkiakun Veliaj: Shkelje të shumta në proces

Dokumenti vjen si shtesë e raporteve të mëparshme dhe synon të nxjerrë në pah shkeljet e vazhdueshme të të drejtave të Veliajt gjatë hetimit dhe ndjekjes penale.

13.03.2026. 12:18

“Në burg për ta ndëshkuar”, raporti amerikan për kryebashkiakun Veliaj: Shkelje të shumta në proces

Firma ligjore Kasowitz LLP publikoi raportin e përditësuar që evidenton mangësitë themelore të procesit gjyqësor në çështjen e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili mbahet ende në paraburgim. Ky dokument vjen si shtesë e raporteve të mëparshme të datave 24 qershor 2025 dhe 28 tetor 2025 dhe synon të nxjerrë në pah shkeljet e vazhdueshme të të drejtave të Veliajt gjatë hetimit dhe ndjekjes penale.

Raporti thekson dy problematika kryesore. Së pari, SPAK ka penguar Kryetarin Veliaj që të ketë akses të plotë në rreth 60,000 faqe prova, duke kufizuar edhe mënyrën se si avokati i caktuar nga shteti mund të komunikojë me të dhe të përgatisë mbrojtjen. Më 9 mars, Gjykata e Shkallës së Parë urdhëroi SPAK-un të dorëzojë dosjen e provave dhe shtyu gjyqin për dy javë, por mbetet për t’u parë nëse Veliaj mund të shqyrtojë një volum kaq të madh informacioni brenda kësaj kohe.

Së dyti, SPAK ka përdorur aktivitete lobimi të Veliajt si arsyetim për të justifikuar vazhdimin e paraburgimit, edhe pse ligji nuk e parashikon lobimin si kriter për ndalimin e një të pandehuri. Raporti thekson se kjo është një formë hakmarrjeje, ndëshkim dhe cenim i të drejtave demokratike të Kryetarit Veliaj, duke nxjerrë në pah shkeljet e shumta të procesit të rregullt ligjor.

Daniel Fetterman, partner në Kasoëitz dhe këshilltar ndërkombëtar i Veliajt, deklaroi se përdorimi i lobimit si bazë për burgim është shqetësues dhe kërkoi që qeveria amerikane të shqyrtojë veprimet e SPAK. Ekipi ligjor që përfaqëson Kryetarin Veliaj përfshin Daniel J. Fetterman dhe Brian S. Choi në Nju Jork, si dhe Clarine Nardi Riddle dhe David Miller në Uashington, D.C.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)