Partia Demokratike ka njoftuar se ditën e hënë më 16 mars do të mbajë mbledhjen e Kryesisë, ku pritet të ketë diskutime dhe vendimmarrje të rëndësishme për vijimin e aksionit politik të forcës kryesore opozitare në vend.
Mësohet se në këtë mbledhje do të diskutohet për protestën e radhës së datës 22 mars, e cila këtë herë ka një motiv më shumë për të qenë edhe më e madhe, për shkak se mazhoranca vendosi të marrë në mbrojtje Belinda Ballukun, duke mos miratuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit.
Gjithashtu në këtë mbledhje do të diskutohet dhe për organizimin e zgjedhjeve në disa degë të Partisë Demokratike në rrethe, ku kryetarëve u ka përfunduar mandati.
Pikë e rëndësishme e mbledhjes së Kryesisë do të jetë dhe caktimi i datës për mbajtjen Kuvendit Kombëtar të PD-së, ku do të zhvillohen zgjedhjet për kryetar dhe pozicione të tjera drejtuese brenda partisë.
Mbledhja do të përmbyllet me ngritjen e një grupi pune, që do të ketë si detyrë miratimin e ndryshimeve statutore.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)