Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka uruar qytetarët për Ditën e Verës nga kryeqendra e kësaj feste, Elbasani. Ai e përshkroi këtë ditë si simbol shprese dhe ripërtëritjeje, duke i ftuar shqiptarët ta festojnë me gëzim dhe besim në të ardhmen.
Gjatë fjalës së tij, Berisha nuk kurseu as kritikat ndaj qeverisë, në veçanti kryeminisrit Edi Rama dhe ish-numrit dy të qeverisë, Belinda Balluku.
“Së pari, qytetarëve, banorëve të Elbasanit, sot si kryeqyteti i festës për mbarë kombin, u uroj gëzuar Ditën e Verës, festën më të lashtë jo vetëm të shqiptarëve ç’është e vërteta, por edhe të kombeve të tjera, një ditë që ngjall shpresë, frymëzon ripërtëritje, një ditë pra gëzimi”, tha Berisha.
Ai shtoi se shqiptarët e festojnë këtë ditë me bindjen se situata politike do të ndryshojë.
“Dhe sot këtë festë shqiptarët e festojnë më të bindur se kurrë se festën tjetër të keqen ia lanë dimrit dhe Rama me Lubinë të ardhme nuk kanë më. Kjo është dita e fundit e verës që ata i gjen me karrige të thyer ashtu siç janë. Nuk e meritojnë!”
Berisha u shpreh se shpreson që festa e vitit të ardhshëm të gjejë shqiptarët me më shumë optimizëm dhe me perspektivë europiane.
“Ndaj dhe le të urojmë që ditën e ardhshme të verës, qytetarët e Elbasanit dhe mbarë Shqipërisë ta festojnë siç ua do zemra, ta festojnë me dyer të hapura drejt të ardhmes dhe drejt Europës.”
Ai theksoi se, vota e mazhorancës në Kuvend kundër kërkesës së SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut ka ndikuar negativisht në rrugën e integrimit europian të vendit.
“Është e trishtë dhe e dhimbshme se në 34 vite kjo është dita e parë e verës në të cilën dyert e Europës u mbyllën për shqiptarët për shkak të veprimeve të pashembullta në historinë e vendeve që shkojnë drejt integrimit nga dyshja Rama-Balluku. Ndaj dhe le të urojmë dhe të punojmë që dita tjetër e verës të na gjejë sa më afër ëndrrës tonë europiane”, deklaroi ai.
Pas urimit për qytetarët, Berisha zhvilloi edhe një takim me mbështetës të Partisë Demokratike në Elbasan. Ai tha se java që sapo kaloi, sipas tij, shënoi një moment negativ për procesin e integrimit të vendit.
“Shpreh mirënjohje ndaj jush për mbështetjen që keni dhënë dhe i jepni PD dhe opozitës. Ne e kremtojmë këtë ditë në kushte më të pazakonta se gjithë të tjerat. Java para kësaj dite shënoi de-facto thyerje të ëndrrës tonë europiane, të integrimit tonë drejt BE. Këta që sot janë në pushtet, ky për interesa të veta mbyll dyert dhe ka nisur betejën me armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm. Por kjo është dita e ripërtëritjes. Ecim të sigurt. Ditën tjetër të verës do ta bëjmë shumë më mirë, do t’i kemi dyert e ëndrrës sonë europiane. Ju uroj suksese dhe festë paçi gjithmonë”, u shpreh Berisha.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)