Një konflikt mes disa të rinjsh në Sarandë ka përfunduar me të shtëna me armë zjarri, ndërsa ndërhyrja e shpejtë e policisë ka çuar në zbardhjen e ngjarjes dhe ndalimin e disa personave të dyshuar.
Ngjarja ndodhi më 12 mars 2026 rreth orës 22:30, në lagjen nr. 1 të qytetit, në rrugën “Panorama”. Sipas hetimeve paraprake, 19-vjeçari Jurgen Lapa, së bashku me një të mitur, dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri në ajër për të kanosur disa të rinj, pas konflikteve të mëparshme mes tyre.
Një ditë pas ngjarjes u bë i mundur ndalimi i katër personave: Aleksandër Zervo, Gramoz Adushi, Aidi Basho dhe Danjel Zbobo, të gjithë 18 vjeç dhe banues në Sarandë. Sipas policisë, ata dyshohet se kanë qenë në dijeni të ngjarjes, por nuk e kanë kallëzuar atë.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, policia sekuestroi pesë gëzhoja, disa telefona celularë si dhe një automjet, të cilat do të shërbejnë si prova materiale për hetimin.
Ndërkohë, autorët e dyshuar të të shtënave janë shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tyre.
Ndaj të rinjve të ndaluar rëndojnë veprat penale “Kanosja”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Moskallëzimi i krimit”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)