Tirana është sot në atmosferë festive me rastin e Ditës së Verës, ndërsa në disa akse kryesore të kryeqytetit do të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve, sipas planit të masave të njoftuar më herët nga Policia e Shtetit dhe Bashkia e Tiranës.
Për shkak të aktiviteteve që do zhvillohen në kryeqytet, qarkullimi i mjeteve është kufizuar në disa rrugë kryesore. Sipas autoriteteve, nga mbrëmja e 13 marsit, ora 22:00, deri sot në orën 18:00 do të jetë i kufizuar qarkullimi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga ish-Hotel Dajti deri në kryqëzimin me rrugën “Ismail Qemali”, më pas në kryqëzimin me rrugën “Gjergj Filipi” dhe deri në fillim të sheshit “Nënë Tereza”.
Ndërkohë, nga ora 12:00 e së premtes deri në orën 02:00 të mëngjesit të datës 15 mars, është ndaluar qarkullimi edhe në rrugën “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri në kryqëzimin me rrugën “Brigada VIII”. Kufizime ka edhe në rrugën “Pjetër Bogdani”, nga kryqëzimi me rrugën “Sami Frashëri” deri në kryqëzimin me rrugën “Gjin Bue Shpata”.
Edhe Policia e Elbasanit ka hartuar një plan të posaçëm masash për mbarëvajtjen e festimeve të Dita e Verës, duke paralajmëruar kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa segmente rrugore të qytetit.
Sipas autoriteteve, duke nisur nga mbrëmja e djeshme dhe ditën e sotme do të ketë masa të shtuara sigurie dhe prezencë të shtuar të policisë në zonat ku zhvillohen aktivitetet festive, në akset kryesore rrugore, si dhe në hyrje dhe daljet e qytetit.
Bëhet me dije se për 48 orë do të bllokohet segmenti rrugor nga stadiumi ‘Elbasan Arena’ deri te rrethrrotullimi i “1 Majit”, ndërsa në qendër të qytetit do të ndalohet parkimi i mjeteve.
Gjithashtu, parkimi do të ndalohet edhe përgjatë bulevardit Bulevardi ‘Aqif Pasha’, ndërsa shërbimet e Policisë Rrugore do të jenë në terren për orientimin dhe devijimin e trafikut.
Për të shmangur trafikun dhe për të lehtësuar qarkullimin gjatë festimeve, mjetet do të drejtohen drejt zonave të posaçme të parkimit sipas drejtimit nga vijnë:
Nga lindja (Ura e Bakallit) – parkim te Parku i Mallrave.
Nga jugu (Kryqëzimi i Cërrikut) – parkim te Shkolla e Formimit Profesional dhe te parkimi i ri pranë varrezave publike.
Nga perëndimi (Kryqëzimi i Luleve) – parkim te shkolla profesionale “Sali Ceka”, pranë Doganës, si dhe në parkimin pranë stacionit të trenit.
Policia njofton gjithashtu se autobusët e linjës Tiranë – Elbasan do të stacionohen pranë Doganës, afër shkollës profesionale, ndërsa autobusët e linjës Elbasan – Cërrik do të ndalojnë te ish-ofiçina në rrugën “Ura”, pranë tregut industrial.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e policisë për të shmangur bllokimet gjatë festimeve të Ditës së Verës.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)