Balluku, Rama reagon për SPAK: Prokurorët nuk bëjnë dot ç’të duan kur trokasin në Kuvend

Për podcastin e tij "Flasim" këtë të dielë kryeministri Edi Rama ka folur për votimin në Kuvend për rrëzimin e kërkesës së SPAK për autorizimin për arrestimin e Belinda Ballukut.

15.03.2026. 10:31

Balluku, Rama reagon për SPAK: Prokurorët nuk bëjnë dot ç’të duan kur trokasin në Kuvend

Për podcastin e tij "Flasim" këtë të dielë kryeministri Edi Rama ka folur për votimin në Kuvend për rrëzimin e kërkesës së SPAK për autorizimin për arrestimin e Belinda Ballukut. 

“Kuvendi i dha fund një debati dhe përplasje të gjatë mbi kërkesën për të autorizuar heqjen e lirisë së një deputeti. Çështja e deputetes Balluku sipas meje sipas nesh është e mbyllur. Kuvendi u shpreh pasi trajtoi me shumë kujdes e përgjegjësi gjithçka që iu vu në dispozicion dhe nuk autorizoi kërkesën sepse është në vazhdën e një kuturisje që nuk mund të vijojë pafundësisht ku njerëzit trajton si të ishin mjete në dispozicion të luftës kundër korrupsionit edhe kur nuk bëhet fjalë për korrupsion dhe përvetësime për interesa personale apo arsye që mund të pengoje zhvillimin e hetimeve dhe merren e futen brenda duke e kthyer Shqipërinë në delen e zezë të Këshillit të Europës si vendi me më shumë të paraburgosur se sa të burgosur, pra të gjykuar e të dënuar.

Deputeti është i barabartë para ligjit, duhet të hetohet nëse ka arsye për hetim, por liria e tij nuk mund të kufizohet me fjalën të përgjithshme apo me teorinë që gjyqtari dhe prokurori munda të bëjnë çfarë të duan. Ata nuk mund të bëjnë çfarë të duan kur trokasin në derën e Kuvendit dhe Kuvendi nuk mund të bëjë sikur nuk shikon, sikur nuk dëgjon, sikur nuk mendon dhe të refuzojë të kryejë rolin e tij, duke praktikisht mbrojtur dinjitetin e tij, dinjitetin e parlamentarëve të Republikës së Shqipërisë që nuk mund të trajtohen si fajtorë pa qenë të shpallur të tillë nga gjykata dhe nuk mund të kufizohen në lirinë e tyre pa pasur asnjë kusht që të çon në këtë drejtim.

Pra, në këtë rast, siç dihet botërisht, kemi të bëjmë me një çështje ku prokurori ka ngritur me të drejtën e vet dyshimin dhe ka nisur hetimin dhe pastaj ka ngritur akuzën për shkelje të barazisë në tendera rreth gjashtë vite më parë dhe nga ana tjetër nuk ka akuzë për korrupsion, nuk ka  akuzë për përvetësim fondesh, nuk ka asnjë skenë flagrance, asnjë provë që të çon në këtë drejtim”, tha Rama.

Çmimi i naftës, Rama: Mekanizëm shtetëror për stabilizimin e tregut

Rritja e çmimit të naftës për shkak të luftës në Lindjen e Mesme, ka sjellë dhe reagimin e kreut të qeverisë Edi Rama. Ai tha se do të monitorohet përmes verifikimit dhe kontrolleve të vazhdueshme tregu i karburanteve. 

“Nuk do të rrimë duarkryq përballë kësaj situate dhe siç e kam deklaruar në fakt kohë më parë, jemi sot edhe për shkak të kushteve të kësaj krize të papritur në momentin kur do finalizojmë krijimin e një faktori shtetëror me impakt në tregun e brendshëm të naftës, i cili do të luajë rolin e stabilizuesit të tregut, do të ndikojë në rritjen e transparencës së çmimit, si dhe do të garantojë furnizimin në treg, duke pasur në mbështetje një kapacitet shumë të rëndësishëm siç është garancia sovrane”, tha Rama.

"Si kofini pas të vjelit", Rama reagon për vendimin e Kushtetueses për Tik Tok

Në podcastin "Flasim", kryeministri Edi Rama ka folur edhe për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Tik Tok, për të cilën përdori shprehjen "si kofini pas të vjelit".

“Këtë javë, Gjykata Kushtetuese mori dhe vendimin për çështjen e TikTok-ut, në ndërkohë që në fakt nuk kishte më çështje pasi si rezultat i bllokimit të TikTok-ut disa kohë më parë për arsyet që janë bërë publike dhe sipas kërkesës së 95% të prindërve dhe të mësuesve, ne hymë në një dialog konstruktiv me kompaninë dhe kompania mori përsipër dhe filloi implementimin e një sërë masash të reja në ofrimin e këtij shërbimi për audiencën shqiptare.

Megjithatë Gjykata ka vazhduar në inercinë e vet dhe në fund ka dalë në konkluzionin se qeveria nuk provoi se bllokimi ishte mjeti i vetëm efektiv.

Tani vendimet e gjykatave natyrisht janë për t’u zbatuar, por unë nuk mendoj se vendimet e gjykatave janë në të gjitha rastet edhe për të mos u komentuar sepse them se është mirë edhe për trupën e prokurorit dhe të gjykatësve të Shqipërisë, që të përballen me opinionin e kritikës gjithmonë konstruktive për të përmirësuar dhe ata punën e tyre, pasi të trajtuarit e tyre si “lule mos më prek” edhe pasi kanë përfunduar proceset, nuk ndihmon në përmirësimin e cilësisë së drejtësisë.

Dhe faktikisht, ne kemi sot në zotërim, falë atij bllokimi filtra algoritmik apo të verifikimit të moshës, kemi një sërë masash që lidhen me gjuhën e dhunës, me vetë gjuhën shqipe që s’ishte fare në radarin e TikTok-ut deri në atë kohë dhe kemi realisht një bashkëpunim konstruktiv me platformën, kështu që ndalimi i përkohshëm solli pikërisht të gjitha këto rezultate.

Një kompani shumë miliardëshe erdhi në tryezë bisedimesh me një shtet të vogël, i cili në të gjithë vlerën e vet është nën vlerën e kompanisë dhe nuk është i vetmi shtet.

Këto kompani janë më të mëdha se shumë shtete të marra së bashku për nga kapitali, vlera e kapitalit që ato kanë në zotërim.

Dhe këtu hyn Gjykata Kushtetuese, si kofini pas të vjelit dhe nuk merr parasysh detyrimin kushtetues që Kushtetuta e Shqipërisë e përcakton qartë se fëmijët kanë drejtën e një mbrojtje të veçantë nga shteti dhe se duhet të mbrohen nga çdo praktikë që mund të dëmtojë shëndetin dhe zhvillimin e tyre dhe nuk merr parasysh as faktin që bllokimi i TikTok-ut nga ana jonë, jo vetëm që nuk u kundërshtua apo nuk u vu në dyshim nga institucionet ndërkombëtare, duke filluar nga Bashkimi Europian, por përkundrazi u komentua pozitivisht në një sërë platformash mediatike të shumë e shumë shteteve në Europë dhe përtej saj, në një periudhë kur shumë vende po përpiqen të marrin masa të tilla dhe kur faktet tregojnë se algoritmet e këtyre platformave mund të prodhojnë efekte të dëmshme tek fëmijët, nga ankthi, deri tek sjelljet vetëlënduese apo tek shfaqjet brutale të dhunës që mund të çojë largqoftë deri në humbjen apo marrjen e jetës së tjetrit, atëherë mosveprimi i shtetit nuk është neutralitet dhe në këtë kontekst, e ashtuquajtura liri e fjalës, me të cilën abuzohet kaq shumë, nuk ka absolutisht as edhe një lidhje.

Gjithsesi, Gjykata Kushtetuese e ka marrë vendimin e vet. Një vendim i panevojshëm, në rastin më të mirë, sepse nuk kishte më konflikt dhe nuk kishte më se çfarë të diskutohej dhe ndërkohë, ne kemi bërë punën tonë dhe kemi marrë atë që prisnim të merrnim nga bllokimi i TikTokut", tha Rama.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)