Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim me raportuesin për Ballkanin në Bundestagun gjerman, Peter Beyer, ku në fokus të bisedës ishte procesi i integrimit europian të Shqipërisë dhe zhvillimet politike në vend.
Pas takimit, Berisha deklaroi se opozita shqiptare mbetet e vendosur në mbështetjen e projektit të integrimit në Bashkimin Europian, të cilin e cilësoi si rrugën më të mirë për të ardhmen e vendit dhe të qytetarëve shqiptarë.
Ai theksoi se gjatë bisedës e ka njohur zyrtarin gjerman me qëndrimet e opozitës lidhur me zhvillimet politike në Shqipëri, si dhe me sfidat që sipas tij po përballet vendi.
“E njoha me të gjitha pikëpamjet e opozitës për këto zhvillime dhe e sigurova se ne qëndrojmë të vendosur në projektin e integrimit të Shqipërisë në Europë, si projekti më i mirë për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve,” u shpreh Berisha.
Ai shtoi se gjatë takimit ka diskutuar edhe për atë që e cilësoi si pengesa serioze në funksionimin e sistemit të drejtësisë, duke përmendur gjithashtu, sipas tij, ndikimin e karteleve të drogës dhe lidhjet e tyre me nivele të larta të pushtetit.
Nga ana tjetër, raportuesi për Ballkanin në Bundestagun gjerman, Peter Beyer, u shpreh se takimi me kreun e Partisë Demokratike ishte frytëdhënës dhe se në fokus të bisedës ishte procesi i integrimit europian të vendit.
Ai bëri të ditur se gjatë vizitës në Shqipëri ka zhvilluar takime edhe me përfaqësues të qeverisë, si dhe ka vizituar Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Sipas Beyer, një element i rëndësishëm për forcimin e shtetit të së drejtës është transparenca dhe një qasje e hapur ndaj sistemit gjyqësor në Shqipëri. Ai theksoi gjithashtu se diskutimet kanë qenë të përqendruara në atë që mund të bëhet për të mirën e qytetarëve shqiptarë dhe për avancimin e procesit të integrimit europian.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)