Irani shpallet shtet terrorist nga mazhoranca, mungon opozita, Balla: Jemi krah demokracive

Kuvendi i Shqipërisë, vetëm me votat e mazhorancës ka miratuar rezolutën që shpall Iranin si shtet terrorist.

17.03.2026. 10:27

Irani shpallet shtet terrorist nga mazhoranca, mungon opozita, Balla: Jemi krah demokracive

Vetëm me 79 vota të mazhorancës, Kuvendi i Shqipërisë ka shpallur Iranin si shtet terrorist, ndikuar dhe nga zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme.

Në rezolutën e propozuar po nga deputetët e mazhorancës u shpallën si organizata terroriste dhe Garda Revolucionare e Iranit dhe Hezbollahu.

Në fjalën e tij, kreu i grupit të PS, Taulant Balla u shpreh se me këtë rezolutë Shqipëria qëndron përkrah vendeve aleate dhe në mbështetje të demokracisë.

“Sot Kuvendi është ftuar të miratojë një rezolutë e cila lidhet me çështjet më të rëndësishme të rendit global. Lufta kundër terrorizimit dhe shteteve që e mbështetësin atë. Terrorizmi është një strategji destabilizimi i rendit demokratik. Ai godet civilët, institucionet dhe parimet. Lufta ndaj terrorizmit është një betejë për mbrojtjen e demokracisë, paqes dhe stabilitetit. Shqipëria ka mbetur e palëkundur në këtë qëndrim. Ne kemi zgjedhur anën e demokracive. Si anëtar i NATO dhe kandidat për BE, Shqipëria ka të drejtën të kontribuojë për sigurinë e aleancës. Rezoluta bazohet në një realitet që është dokumentuar nga analiza ndërkombëtare. Vendi ynë ka qenë vetë objekt i sulmeve kibernetike.

Sulmi ndaj institucioneve të Shqipërisë një nga më seriozët. Ai synoi të dëmtonte shërbimet publike dhe të cenonte besimin e qytetarëve në shtetin e vetë. Shumë përpjekje janë parandaluar në kohë. Pak ditë më parë u shënjestrua dhe Kuvendi. Ne rezolutë dënojmë çdo formë të mbështetjes shtetërore për terrorizmin, përdorimin e Proxy për destablizim. Rezoluta bën thirrje që në koordinim me partnerët të shpallë Gardën Revolucionare dhe Hezbollah si organizata terroriste. Shumë vende i kanë marrë masat e ngjashme. SHBA e kanë shpallur Gardën Revolucionare organizatë terroriste në 2019. Më pas e ka bërë dhe Bashkimi Evropian”, tha Balla.

Taulant Balla dënoi dhe vendimin e Iranit për të minuar Ngushticën e Hormuzit teksa nuk la pa kritikuar dhe opozitën që nuk mori pjesë në seancën për miratimin e kësaj rezolute.

“Qëndrimi ynë është pjesë e një përpjekje të koordinuar për mbrojtjen e sigurisë. Minimi i Hormuzit nga Irani është një akt terrorist që synon të bllokojë lëvizjen e anijeve duke shkaktuar një krizë. Kjo rezolutë është një mesazh i qartë se Shqipëria nuk e toleron terrorizmin. Keqardhje për mungesën  e deputetëve të opozitës që nuk ditën që në një moment solemn, përkrah SHBA dhe BE, nuk dolën sot në interesin sot në interesin e vogël të javës, të vinin në Kuvend dhe të mbështesnin këtë qëndrim, që është i domosdoshëm”, deklaroi Balla.

Opozita kishte njoftuar një ditë më parë se nuk do të merrte pjesë në një seancë që sipas saj bëhej për interesa personale të kryeministrit Rama.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)