Shqipëria në zonë rreziku, sëmundjet e zemrës dominojnë vdekshmërinë

Sipas të dhënave të INSTAT dhe Eurostat, rreth 52.9% e vdekjeve në vend lidhen me sëmundjet e zemrës.

Burimi: Monitor

17.03.2026. 08:27

Shqipëria në zonë rreziku, sëmundjet e zemrës dominojnë vdekshmërinë

Sëmundjet kardiovaskulare vijojnë të mbeten shkaku kryesor i vdekjeve në Shqipëri, duke tejkaluar ndjeshëm mesataren e Bashkimit Europian. Sipas të dhënave të INSTAT dhe Eurostat, rreth 52.9% e vdekjeve në vend lidhen me sëmundjet e zemrës, krahasuar me 32.8% në BE.

Ndërkohë, në Europë një peshë më të madhe kanë tumoret dhe sëmundjet e tjera, të cilat në Shqipëri rezultojnë në nivele më të ulëta. Ekspertët theksojnë se kjo diferencë lidhet kryesisht me stilin e jetesës, përfshirë ndotjen e ajrit, mungesën e aktivitetit fizik, ushqyerjen e pashëndetshme dhe stresin e vazhdueshëm.

Të dhënat spitalore tregojnë një rritje të ndjeshme të rasteve me probleme kardiake. Gjatë periudhës janar–gusht 2025 u trajtuan mbi 7,500 pacientë, rreth 17.5% më shumë se një vit më parë. Po ashtu, janë shtuar edhe rastet e problemeve të shëndetit mendor.

Sipas specialistëve si Arjana Rreli dhe Endri Hasimi, stresi kronik dhe puna sedentare ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e rrezikut për sëmundje të zemrës.

Edhe Instituti i Shëndetit Publik konfirmon përhapjen në rritje të këtyre sëmundjeve, ndërsa faktorë si obeziteti dhe duhanpirja mbeten shqetësues. Shqipëria renditet ndër vendet me nivel të lartë mbipeshe, duke rritur më tej rrezikun për shëndetin e popullsisë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)