Akuza për vrasje, trafik droge dhe grup kriminal, nis gjyqi për Durim Bamin dhe 6 të tjerë

Në qendër të hetimeve është edhe një plan për atentat ndaj ish-deputetit Arben Ndoka, si dhe përfshirja në ngjarje të tjera kriminale.

17.03.2026. 12:23

Akuza për vrasje, trafik droge dhe grup kriminal, nis gjyqi për Durim Bamin dhe 6 të tjerë

Gjykata e Posaçme ka kaluar për gjykim dosjen e njohur si “Revanshi”, duke çuar në bankën e të akuzuarve të fortin e Niklës, Durim Bami, pak javë pasi u ekstradua nga Dubai, si dhe gjashtë persona të tjerë.

Të pandehurit janë Aldo Avdyli, Jozi Kraja, Altin Morina, Marklen Haka, Henerigert Mitri dhe Edson Jozwik.

Sipas SPAK, ata akuzohen për një sërë veprash penale, përfshirë sigurimin e kushteve për vrasje, tentativë vrasjeje, trafik narkotikësh, kultivim droge dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Në qendër të hetimeve është edhe një plan për atentat ndaj ish-deputetit Arben Ndoka, si dhe përfshirja në ngjarje të tjera kriminale.

Sipas akuzës, grupi ka vepruar gjatë periudhës 2020–2024, duke bashkëpunuar në organizimin e atentateve dhe aktiviteteve të paligjshme. Një pjesë e të pandehurve akuzohen edhe për drejtim apo pjesëmarrje në organizata kriminale, ndërsa të tjerë përfshihen në episode konkrete si tentativa vrasjeje apo trafik droge.

Procesi gjyqësor për këta shtatë persona do të zhvillohet i ndarë nga pjesa tjetër e dosjes, ku rreth 20 persona të tjerë vijojnë të jenë në kërkim.

Disa nga të pandehurit, përfshirë Bamin, Avdylin, Krajën dhe Hakën, ndodhen aktualisht në paraburgim në Tiranë, ndërsa hetimet për pjesën tjetër të grupit vijojnë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)