“Rifreskim në PS”, Klosi: Strukturat do të shtrihen edhe jashtë vendit

Partia Socialiste ka nisur një proces të ri riorganizimi të brendshëm, ndërsa drejtuesit e saj flasin për një “rifreskim” të strukturave dhe për një shtrirje më të gjerë të partisë edhe në diasporë.

11.03.2026. 11:01

“Rifreskim në PS”, Klosi: Strukturat do të shtrihen edhe jashtë vendit

Partia Socialiste ka nisur një proces të ri riorganizimi të brendshëm, ndërsa drejtuesit e saj flasin për një “rifreskim” të strukturave dhe për një shtrirje më të gjerë të partisë edhe në diasporë. Çështja u diskutua në mbledhjen e Kryesisë së PS, ku ishte i pranishëm edhe kryetari i socialistëve, Edi Rama. Ndërkohë, më 21 mars pritet të zhvillohet edhe mbledhja e Asamblesë Kombëtare, ku do të diskutohen hapat e mëtejshëm të këtij procesi.

Pas mbledhjes, Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi, bëri të ditur se zgjedhjet brenda partisë janë një proces i rregullt që zhvillohet çdo dy vite dhe synon ristrukturimin e të gjithë organizimit të saj në terren.

“Proces që është bërë çdo dy vite në PS dhe është proces i reformimit të gjithë strukturës në PS. Është proces që do përfshijë të gjithë forumet e PS dhe do shtrihet në çdo qelizë të PS në gjithë vendin,” tha Klosi.

Sipas tij, Asambleja e 21 marsit do të hapë rrugën për zgjedhje të reja brenda strukturave të partisë, në prag të një momenti simbolik për socialistët.

“Në mbledhjen e datës 21 do kemi diskutime për përfshirjen e të gjithë anëtarëve të PS në një proces që do t’i hapë rrugën edhe zgjedhjeve të reja, që PS ka kërkuar gjithmonë rifreski. 12 qershori i këtij viti shënon 35-vjetorin dhe gjithë procesi do të kurorëzohet në këtë datë,” deklaroi ai.

Një nga elementët e rinj të këtij organizimi, sipas Klosit, do të jetë edhe krijimi i strukturave të partisë në diasporë, sidomos në vendet ku socialistët kanë marrë më shumë mbështetje në zgjedhje.

“Do ketë vendimmarrje për shtrirjen e strukturave lokale edhe në degët në diasporë, sigurisht në vendet që kishim numrin më të madh të votave. Kësaj vote ne do t’i përgjigjemi me organizim strukturash,” theksoi Klosi.

I pyetur nga gazetarët për çështjen e deputetes Belinda Balluku dhe vendimin për të mos lejuar arrestimin e saj, Klosi u shpreh se Partia Socialiste mbështet reformën në drejtësi dhe nuk ndërhyn në proceset hetimore.

“Kjo parti e ka shprehur qartazi qëndrimin, në asnjë rast nuk kemi asnjë diskutim sa i përket organeve të drejtësisë së re. Kemi ardhur në pushtet në 2013 me premtimin e reformës në drejtësi dhe vazhdojmë ta mbështesim,” tha ai.

Ai shtoi se socialistët nuk do të pengojnë hetimet e Prokurorisë së Posaçme.

“Ne i qëndrojmë 100% parimit, nuk përfshihemi në asnjë proces hetimor… në asnjë rast s’do kemi pengim të hetimit,” u shpreh Klosi.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)