Deputeti socialist i qarkut të Vlorës, Ardit Bido pak orë pasi qytetarët e revoltuar protestuan duke kërkuar ujë para teatrit “Petro Marko”, ka njoftuar se problemi me tubacionin kryesor që furnizon me ujë të pijshëm qytetin bregdetar është drejt zgjidhjes.
Teksa në rubinetët e banorëve të Vlorës prej tre ditësh nuk rrjedh ujë, Bido përmes një postimi në Facebook bën me dije se pas më shumë se 72 orë pune intensive në terren, ka sinjale pozitive se avaria e rëndë në sistem mund të zgjidhet brenda ditës së nesërme.
“Avaria e rëndë në sistemin e furnizimit me ujë në Vlorë mund të zgjidhet brenda ditës së nesërme. Ka qenë një situatë e vështirë dhe e lodhshme për qytetarët. Shqetësimi i tyre është i drejtë dhe i kuptueshëm, pasi mungesa e ujit për disa ditë rresht nuk mund të jetë realiteti i një qyteti si Vlora. Sipas informacioneve nga terreni, ndërhyrjet janë në fazën përfundimtare dhe po punohet për rikthimin gradual të furnizimit. Është e domosdoshme që çdo zhvillim të komunikohet me transparencë dhe që kjo situatë të shërbejë si një mësim i qartë për të forcuar sistemin dhe për të parandaluar përsëritjen e rasteve të ngjashme në të ardhmen”, shkruan Bido.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)