Michael Schumacher “nuk do të shfaqet më në publik”

Një përditësim rreth situatës së pilotit gjerman ka ardhur nga gazetari britanik Craig Scarborough, i cili ndjek prej dekadash botën e Formula 1.

18.02.2026. 16:33

Michael Schumacher “nuk do të shfaqet më në publik”

29 dhjetori i vitit 2013 shënoi një kthesë dramatike në historinë e sportit botëror. Pas aksidentit të rëndë me ski në Méribel, Michael Schumacher u tërhoq plotësisht nga jeta publike. Prej asaj dite, shtatë herë kampioni i botës në Formula 1 është mbajtur larg syrit të mediave, i rrethuar nga kujdesi dhe përkushtimi i familjes së tij.

Së fundmi, një përditësim rreth situatës së pilotit gjerman ka ardhur nga gazetari britanik Craig Scarborough, i cili ndjek prej dekadash botën e Formula 1. Duke folur për gazetën “The Sun”, ai ka cituar një person “shumë, po shumë të afërt” me ish-pilotin. Sipas atij burimi “Schumacher nuk do të ketë më dalje publike në të ardhmen”.

Personi pranë legjendës së sporteve motorike ka theksuar se “në rrethanat aktuale, gjendja e tij është stabile dhe po trajtohet me kujdes maksimal”. Megjithatë, familja Schumacher ka zgjedhur të ruajë privatësinë absolute dhe të mos japë detaje të mëtejshme.

Bashkëshortja e tij, Corinna Schumacher, ka qenë shtylla kryesore e familjes gjatë këtyre viteve të vështira. Miq të afërt si Jean Todt kanë treguar se vazhdojnë ta vizitojnë dhe të ndjekin së bashku garat e Formula 1 në televizion. Kur ka mbi një dekadë nga aksidenti fatkeq, legjenda e pistave mbetet një figurë e dashur për miliona tifozë në mbarë botën, edhe pse jeta e tij vazhdon larg vëmendjes publike.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)