Milan, Füllkrug mund të debutojë prej sfidës ndaj Cagliari

Zyrtarizimi I transferimit do të bëhet me hapjen e merkatos dimërore më 2 janar, kur do të kryhet shkëmbimi i dokumenteve dhe depozitimi i kontratës.

22.12.2025. 16:09

Milan, Füllkrug mund të debutojë prej sfidës ndaj Cagliari

Niclas Füllkrug pritet të jetë i gatshëm për Milanin që në ndeshjen e parë të vitit të ri ndaj Cagliarit. Edhe pse procedurat burokratike fillimisht rrezikonin ta shtynin debutimin e sulmuesit gjerman, një vendim i fundit i FIGC ka ndryshuar situatën.

Marrëveshja mes Milanit dhe West Ham, ashtu si edhe ajo me përfaqësuesit e lojtarit, është arritur prej ditësh. Në situatën aktuale mungon vetëm zyrtarizimi, i cili do të bëhet me hapjen e merkatos dimërore më 2 janar, kur do të kryhet shkëmbimi i dokumenteve dhe depozitimi i kontratës.

Fillimisht mendohej se Füllkrug nuk do të kishte kohë të regjistrohej për ndeshjen Cagliari–Milan, e programuar pikërisht ditën e hapjes së merkatos, duke e shtyrë debutimin për sfidën e 8 janarit kundër Genoas në “San Siro”. Por tashmë ka ardhur një kthesë e papritur.

FIGC ka pranuar kërkesën e Ligës së futbollit në Serie A, për të shkurtuar afatet teknike të regjistrimit të lojtarëve të rinj. Kjo do të thotë se mjafton që kontrata e Füllkrug të depozitohet brenda orës 16:00 të datës 2 janar, që ish-sulmuesi i Borussia Dortmund të jetë i disponueshëm për trajnerin Massimiliano Allegri.

Ky vendim është miratuar për të garantuar barazi mes të gjitha skuadrave të Serie A, pasi Milani dhe Cagliari, duke luajtur ndeshjen hapëse të javës së 18-të, rrezikonin të penalizoheshin në krahasim me ekipet e tjera.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)