Në fundjavën që lamë pas erdhi dhe shpërthimi i shumëpritur i Brojës. Sulmuesi kuqezi realizoi golin e tij të parë me fanellën e Burnley-t në sfidën ndaj Bournemouth, duke i dhënë fund një thatësire që zgjati më shumë se dy vite.
Këto ditë, Broja është kthyer në kryefjalë në radhët e Burnley-t. Në një video të publikuar në platformën “X”, ai ka folur hapur për përshtatjen te ekipi i ri, duke e krahasuar eksperiencën aktuale me periudhën kur ishte pjesë e Chelsea-t në Londër.
“Ka qenë e vështirë, por ia kam kaluar mirë. E kam shijuar. Është shumë ndryshe nga jeta në Chelsea, por po e shijoj këtu në veri. Më pëlqen, është diçka ndryshe”, u shpreh Broja.
Sulmuesi kuqezi theksoi gjithashtu edhe marrëdhënien me njerëzit dhe ambientin në qytetin e ri.
“Mendoj se njerëzit këtu janë më të këndshëm, më miqësorë. Është më e lehtë për të folur, më e lehtë për të dalë me të gjithë. Të gjithë janë shumë të mirë. Edhe kur del jashtë, kur ulesh në kafene, të gjithë janë shumë të sjellshëm.”
Forma në rritje e Brojës është një sinjal shumë pozitiv për trajnerin dhe për Kombëtaren shqiptare, me tifozët që tashmë kryqëzojnë gishtat që sulmuesi të ruajë formën deri në muajin mars, atëherë kur kuqezinjtë do të luajnë shanset e tyre historike në “play-off”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)