Dinamo është fituesja e Superkupës së Shqipërisë, duke triumfuar 1-3 ndaj Egnatias në sfidën e zhvilluar në stadiumin “Air Albania”. Ekipi i Ilir Dajës përmbysi rezultatin pas një pjese të parë të humbur dhe u rikthye te trofeu pas 17 vitesh pritje.
Ndeshja nisi më mirë për Egnatian, e cila kaloi në avantazh që në minutën e 9-të me golin e Ruçit. Pavarësisht disa rasteve të pastra për Dinamon, pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të skuadrës së Edlir Tetovës.
Në fraksionin e dytë, Dinamo ndryshoi marshin dhe përmbysi gjithçka brenda pak minutash. Fillimisht ishte Bregu që barazoi shifrat në minutën e 54-t, ndërsa vetëm pesë minuta më pas Nani realizoi golin e avantazhit për blutë. Në minutat shtesë, Qefalija vulosi fitoren me golin e shënuar nga pika e bardhë e penalltisë.
Me këtë sukses, Dinamo konfirmohet si një “makth” për Egnatian, duke e mposhtur edhe një herë në një finale, dhe feston fitimin e Superkupës së Shqipërisë, duke shtuar një tjetër trofe të rëndësishëm në historinë e saj.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)