Fabio Capello ka shpërthyer ashpër ndaj sistemit të arbitrimit dhe mënyrës së përdorimit të sistemit VAR. Në një intervistë të gjatë për gazetën spanjolle “Marca”, ish-trajneri i Milanit, Romës, Juventusit dhe Real Madridit nuk ka kursyer kritikat, duke komentuar edhe skandalin Negreira në Spanjë, të cilin e krahasoi me Calciopoli-n në Itali.
Sulmi më i fortë i Capellos lidhet me klasën e arbitrave dhe refuzimin e tyre për të përfshirë ish-lojtarë ose ish-trajnerë në dhomën e VAR-it. “Arbitrat janë një mafie”, deklaroi Capello. “Nuk duan të mbështeten te ish-lojtarët për VAR-in, njerëz që e njohin futbollin, lëvizjet, gjestin që bën një lojtar për të ndaluar kundërshtarin apo për t’u mbrojtur. Shpesh marrin vendime të gabuara sepse nuk kanë luajtur futboll”.
Ai shtoi se shumë goditje dënimi dhe penallti jepen gabimisht: “Një lojtar preket në fytyrë, hidhet dhe ata fishkëllijnë. Pse fishkëllen? Kjo gjë më çmend”. Sipas Capellos, zgjidhja është e thjeshtë: “Vendos një ish-lojtar ose ish-trajner pranë arbitrit që t’i thotë: ‘Mua nuk më duket penallti’. Me UEFA-n analizuam 20 penallti: të rishikuara nga ish-lojtarë dhe trajnerë, vetëm 6 ishin penallti, 14 jo”.
Capello u ndal edhe te skandali “Negreira”, ku Barcelona akuzohet se ka paguar ish-zv.presidentin e Komitetit Teknik të Arbitrave në Spanjë, në një periudhë kur ai drejtonte Real Madridin dhe fitoi dy tituj kampion. “Çfarë të them? U përpoqën të na ndalonin, por nuk ia dolën… fituam kundër të gjithëve! Nëse mendon se fitoret kanë gjithmonë vlerë, pas kësaj kanë edhe më shumë”, tha ai me ironi.
Më pas vjen goditja ndaj drejtësisë sportive spanjolle, e krahasuar me atë italiane të vitit 2006: “Juventusi nuk ka paguar arbitrat dhe megjithatë u dërgua në Serie B. Në Spanjë, me historinë e Negreira-s, nuk ka ndodhur asgjë. Në Itali veprojmë”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)